Klubi i futbollit Prishtina ka paralajmëruar se brenda këtyre ditëve do të ankohet në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS) në Kosovë, për shkak të moslicencimit për garat evropiane.
Drejtori i Prishtinës, Artan Osmani, ka thënë se më së largu deri të enjten, do ta dorëzojnë ankesën e kompletuar.
“Jemi në fund të kompletimit të dokumentacionit dhe më së largu, sot ose të enjten, do ta dorëzojmë ankesën. Ne besojmë që kemi të drejt. Prishtina nuk është dorëzuar dhe do ta ushtrojë të drejtën e saj”, tha Osmani për RTV Dukagjinin, transmeton Paparaci.
Prishtina arriti ta fitojë Kupën e Kosovës duke mposhtur në finale Gjilanin dhe duke siguruar kështu rrethin e dytë kualifikues për UEFA Conference League, mirëpo moslicencimi mund ti prish punë ekipit nga kryqyteti.
Në bazë të vendimit të Komisionit për Licencimin e Klubeve për Garat Evropiane dhe vendimit të Komisionit të Shkallës së Dytë, Prishtina nuk i ka plotësuar kriteret për ndeshjet ndërkombëtare.
Vendin e Prishtinës në Evropë do ta zë Dukagjini që ka përfunduar në vendin e katërt në Superligë.
