Të fundit

Borrell: Jemi pajtuar për rrugën përpara, do t’i diskutojmë detajet dhe mënyrat

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell ka folur në konferencë për media pas takimeve që zhvilloi me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.

Borrell ka treguar se Kurti është pajtuar për zgjedhje të reja.

Fillimisht, ai ka thënë se situata ka qenë e tensionuar dhe për këtë ka kërkuar që Kurti dhe Vuçiq të shkojnë në Bruksel për takime.

“Ju e dini mirë se gati për gati 4 javë, kemi qenë dëshmitar se situata në veri të Kosovës ka qenë e tensionuar me aq sa kuptoj unë panevojshëm. Me protesta dhe përplasje të dhunshme. Trupat e KFOR-it, policët, gazetarët dhe shumë qytetarë janë lënduar dhe ne dëgjuam për incidente çdo ditë. Kjo është e papranueshme, e papërballueshme, kjo nuk mund të vazhdojë dhe kjo është pse kam kërkuar nga Vuçiq dhe Kurti të vijnë në Bruksel për një takim për menaxhimin e krizës. Sërish jemi në gjendje të menaxhimit të krizave”, tha Borrell.

Më tutje, ai është shprehur se po punohet për deeskalimin e situatës dhe ka thënë që Kosova duhet t’i tërheqë policinë nga objektet komunale, kryetarët të punojnë jashtë objekteve komunale dhe Serbia t’i heqë protestuesit gjithashtu nga rruga.

“Po, jemi duke u marrë me këtë krizë dhe i falënderoj të dy që kanë ardhur në Bruksel dhe që po punojnë për deeskalim. Ne i kemi thirrur Kosovën dhe Serbinë për deeskalim dhe të kthehen në proces të normalizimit të marrëdhënieve. Shtetet anëtare të BE-së kanë qenë të qarta në thirrjet për hapa të qartë. Fatkeqësisht, deri më tani kemi parë vetëm të kundërten. Sot së bashku me Lajçak kemi shpenzuar katër orët e fundit, fillimisht me kryeministrin Kurti pastaj me presidentin Vuçiq në takime të ndara për të tentuar për të gjetur zgjidhje për rrugën përpara, ne prezantuam te palët pritjet tona të qartë.

Ai ka përsëritur gjithashtu kërkesën e BE-së për zgjedhje të reja dhe tha se Kurti është pajtuar për nevojën për zgjedhje të reja.

“Për Kosovën që menjëherë t’i ndalojë operacionet policore pranë objekteve komunale në veri të Kosovës dhe që katër kryetarët t’i kryejnë punët e tyre jashtë ndërtesave komunale dhe për Serbinë të sigurohet që protestuesit të largohen nga objektet komunale së bashku me policinë e Kosovës. Të dy palët që t’i shpallin zgjedhjet e jashtëzakonshme në veri të Kosovës me pjesëmarrje të serbëve pa kushte. Dhe kjo është burimi i problemit dhe burimi i zgjidhjes. Zgjedhje të parakohshme, zgjedhje të reja në të katër komunat me pjesëmarrje të plotë.”, tha Borrell.

Ai ka thënë se pas këtyre hapave, palët duhet t’i kthehen dialogut dhe ka kërkuar që të bëhet themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

“Pas kësaj, pasi që situata në terren të kthehet në normal, të fillojmë të punojmë për normalizim nëpërmjet dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja. Vetëm pak muaj më parë ne arritëm një marrëveshje në rrugën për normalizim dhe dukej se ishim në rrugë të mirë në mënyrë që të avancohet në normalizimin e marrëdhënieve, ne duhet të kthehemi në implementimin e këtyre marrëveshjeve dhe kjo nënkupton që të fillohet pa vonesa të mëtejshme ose parakushte, negociimin e draft-statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Mendoj se kemi qenë të qartë”, tha Borrell.

Ai ka thënë se takimet e sotme kanë qenë të fokusuara në pyetjet “si” dhe “kur” do të shtensionohet situata.

“Takimet e sotme nuk ka qenë e fokusuar në “ÇKA” por në “SI” dhe “KUR”, si të shtensionohet situata në terren, si të organizohen zgjedhjet e reja, si të kthehemi në dialog dhe t’i zbatojmë të gjitha obligimet e dialogut me theks të veçantë të marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit. Pas katër orëve mbledhje, unë pashë se të dy liderët e kuptojnë seriozitetin e situatës, por sigurisht ata janë në pozicione të ndryshme, qasje të ndryshme dhe interpretime të ndryshme për shkaqet, efektet, konsekuencat dhe zgjidhjet”.

Ndër të tjera, ai tha se Vuçiqit i ka thënë që t’i lirojë menjëherë dhe pa kushte tre policët kosovarë, kurse për, siç tha ai, pretendimet për keqtrajtim ndaj të burgosurve serbë në Kosovë, Borrelli tha se me këtë çështje do të merret EULEX-i.

“Misioni i EULEX-it luan rolin e vet për monitorimin e këtij kontesti. Unë gjithashtu kam kërkuar nga Vuçiq që tre policët kosovarë që po mbahen në Serbi duhet të lirohen menjëherë dhe pa kushte dhe unë mendoj se kemi gjetur rrugën përpara por të dy palët duhet të përkushtohen menjëherë.”, tha Borrell. /Paparaci.com/ 

Video nga Paradoks

Përplasje e fortë në VV SHOW mes Kajtazit e Ymerit

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci