Të fundit

Sveçla: AKI dhe policia parandaluan një sulm të planifikuar terrorist

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla në një konferencë të përbashkët me drejtorin e Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha ka folur lidhur me identifikimin dhe kapjen e një veture me targa serbe dje në Zveçan, brenda së cilës u konfiskua një sasi e konsideruar municioni.

Ai ka thënë se Kosova që nga paslufta përballet me agresionin serb, ndërsa ka thënë se situata ka degraduar në kulm pas kidnapimit të tre policëve kosovarë, shkruan Paparaci.com.

“Që nga paslufta Kosova ka vijuar të përballet me agresioni ne Beogradit zyrtar. Posaqërisht kohëve të fundit, dora e zgjatur e tyre ka intensifikuar sulme terroriste ndaj policisë së Kosovës, veturave të tyre, stacioneve policore, sulme ndaj pjesëtarëve të KFOR-it e EULEX-it, gazetarëve e deri te brutaliteti ndaj qytetarëve.”, tha Sveçla.

“Siç jemi tashmë dëshmitar, situata ka degraduar në kulm pas agresionit të Serbisë me ç’rast janë kidnapuar tre policë që kanë qenë në krye të detyrës duke ruajtur vijën kufitare. Duke marrë shkas nga këto akte kundër ligjit, ne kemi intensifikuar punën për të siguruar qetësi dhe ambient të sigurt për të gjithë qytetarët në mënyrë që t’i parandalojmë tentativat për eskalim të situatës dhe cenim të rendit dhe sigurisë e sovranitetit të vendit tonë.”, tha gjithashtu ai.

Ai tha se janë kryer arrestime të shumta dhe ka thënë se po veprohet sipas ligjit e se sovraniteti i vendit është i paprekshëm.

“Arrestime të shumta janë realizuar duke vënë në pranga kriminelë që të cilët në të kaluarën për vepra të ngjashme janë toleruar e janë amnistuar, të njëjtët kanë sulmuar gazetarët e pjesëtarët e KFOR-it dhe me vite qytetarët tanë, veçanërisht komunitetin serb. Sundimi i ligjit për neve është prioritet. Ne po veprojmë sipas ligjit, sovraniteti i Kosovës është i paprekshëm, andaj të gjitha këto veprime policore që po ndodhin, arrestimet që po bëhen, dëshmojnë se ne nuk mund të zmbrapsemi përballë kriminelëve dhe qëndrojmë të angazhuar për zbardhjen e të gjitha sulmeve dhe ruajtjen e të gjithë qytetarëve pa dallim. Ne nuk do të ndalim angazhimin të përbashkët për ligjshmëri, kushtetutshmëri dhe legalitet në çdo cep të vendit.”, tha Sveçla.

Ai ka thënë se vetura që u idenfikua në veri ishte veprim profesional e punë serioze e policisë së Kosovës dhe Agjencisë Kosovare të Inteligjencës.

“Për më tepër, tash kur ditën e djeshme, veprimet profesionale dhe puna serioze e policisë së Kosovës dhe AKI-së shmangën një sulm të planifikuar terrorist ndaj Kosovës. Të dashur qytetar, siç edhe jeni njoftuar mbrëmë u identifikua një makinë me targa të Beogradit rreth 100 metra larg komunës së Zveçanit në të cilën janë zbuluar sasi të mëdha të armatimit, mjeteve eksplozive dhe municioneve të ndryshme.”, tha Sveçla.

Ai ka treguar se çfarë është kapur brenda veturës, duke përfshirë këtu edhe shenja të “Brigadës së Veriut”, shenja të njësiteve ruse, radiolidhje të njëjta me ato të ish-shefit të operacioneve Aleksandër Filipoviq.

“Siç edhe mund t’i shihni të ekspozuara ka shenja të formacionit ilegal kriminal të quajtur “Brigada e Veriut”, shenja dalluese të njësiteve ruse, radiolidhje të njëjta me ato të konfiskuara në zyrën ilegale të Aleksandër Filipoviqit në Leposaviq. Qytetarët e dijnë se Filipoviq ka qenë ish-shef i operativës në drejtorinë rajonale të veriut i cili edhe është dekoruar nga presidenti i Serbisë Vuçiq, e këto radiolidhje janë të njëjta me radiolidhjen që është gjetur në zyrën e tij, që janë pajisje të formacionit terrorist “Mbrojtja Civile”.”, tha Sveçla.

Ai ka shtuar se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq po tenton ta destabilizojë veriun nëpërmjet “grupeve kriminale”, teksa ka shtuar se ka informacione se në Kosovë janë futur vetura dhe automjete tjera me armatime ushtarake.

“Kjo është dëshmi e radhës që Vuçiq përmes grupeve të tilla synon të destabilizojë vendin tonë. Ky rast konfirmon informacionet e pranuara nga institucionet e sigurisë së Kosovës se gjatë javëve të fundit nga territori i Serbisë janë futur në Kosovë vetura dhe automjete të tjera me armatime ushtarake. Edhe vet fakti se disa nga gjërat e konfiskuara janë pjesë e armatimeve që mungojnë këtu, tregojnë se kontingjenti i armëve të kontrabanduara është më i madh se kaq.”, tha Sveçla.

Ai ka thënë se vetura e cila është përfshirë në rastin e djeshëm në Zveçan ku u kap plot me municione është e një ndërmarrje publike shtetërore të Serbisë.

“Vetura që shihni këtu me targa të Beogradit, e përfshirë në rast është evidentuar si pronë e një ndërmarrjeje publike shtetërore të Serbisë, saktësisht shoqëria aksionare “Hekurudhat e Serbisë”, pas kësaj është e qartë se kush qëndron pas sulmeve dhe përpjekjeve terroriste brenda vendit tonë. Pra në këto prova gjeni veturën e institucioneve të shtetit të Serbisë, radiolidhjen e zyrtarëve serbë në Kosovë, simbolet e Rusisë dhe organizimi terrorist “Severna Brigada”.”, tha Sveçla.

“Granatat e dorës janë prodhim serb i vitit 2021 që do të thotë se nuk janë armë të mbetura nga lufta 1999 në Kosovë, por janë të furnizuara drejtpërdrejt nga ushtria e Serbisë. Doza e dhunës dhe kriminalitetit nga Serbia veçse po rritet, bandat kriminale tashmë veçse janë shndërruar në organizime terroriste, por ne në institucionet tona nuk do të lejojmë që ato të kenë sukses. I bëjmë thirrje Beogradit zyrtar të tërhiqet nga këto akte kriminale e tash edhe terroriste dhe të ndalojë dëshirën për eskalim të situatës në vendin tonë, gjithashtu i bëjmë thirrje faktorit ndërkombëtar të reagojë ashpër ndaj këtyre ngjarjeve dhe të dënojë sjelljen e dhunshme dhe terroriste të Serbisë ndaj Kosovës.”, tha ai.

Në fund, ai ka thënë se: “do të kërkoj nga qeveria e Kosovës që organizatat “Mbrojtja Civile” dhe “Severna Brigada” të shpallen organizata terroriste me çka lufta ndaj këtyre organizatave do të jetë edhe më efikase.”. /Paparaci.com/ 

 

Video nga Paradoks

Përplasje e fortë në VV SHOW mes Kajtazit e Ymerit

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci