Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, ka reaguar pas raportimeve të mediave se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po përfaqëson shtetin me fusnotë në mbledhjen e Këshillit të Stabilizim-Asociimit.
Sipas Manxhukës Qeveria Kurti është duke punuar që të dalë nga siç e quan ai “logjika e fusnotës”. Tutje ai ka shtuar se sot fusnota nuk po shihet si ka qenë në raport me shtetin ndër vite, por si është sot me VV-në.
“Pra, Lëvizja VETËVENDOSJE! që ishte kundër kësaj marrëveshje dhe se koha e dëshmoi se ajo nuk është fluskë bore duan t’ja hedhin koston vetëm pse e kemi kundërshtuar, pra nuk e shikojnë fusnotën në raport me Republikën, por vec në raport me VV-në.
Pasojat që i kanë lënë Kurtit nuk janë përgjegjësi e tij, përkundrazi qeveria aktuale po bën përpjekje për të dalë nga logjika e fusnotës”, ka shkruar ai në Facebook.
Tutje ai ka shtuar se po të ishte edhe më herët VV në pushtet nuk do të kishte fusnotë.
“Po të ishte VV që nga ajo kohë në pushtet nuk do të kishte as fusnotë e as marrëveshje që flasin për rregullim të brendshëm. Duhet parë cka thoshte ky portal e të tjerë në protestën tonë që kishim ndaj kësaj marrëveshje”, ka shkruar tutje ai.
