Kryetari i Lëvizjes së Qendrës Serbe (SRCE), Zdravko Ponosh, ka komentuar sanksionet e SHBA kundër drejtorit të Agjencisë serbe të Inteligjencës (BIA), Aleksandar Vullin, se çështja Vullin ka dëmtuar reputacionin e politikës së jashtme të vendit dhe se nuk është gjë e vogël kur kreu i agjencisë së sigurisë kombëtare është vendosur nën sanksionet e Agjencisë Kombëtare të SHBA.
“Vetë fakti që ne si vend u gjendëm nën sanksionet e cilit do vend, sidomos kur bëhet fjalë për SHBA, një vend për të cilin regjimi mburret se marrëdhëniet po zhvillohen shumë mirë, me shpejtësi, dhe se për një kohë të gjatë nuk kanë qenë më të mira”, ka thënë Ponosh, transmeton Paparaci.
Ponosh ka thënë se Vullini është një aferë në veti, dhe se që kur është në pushtet Partia Përparimtare serbe e Vuçiqit, ai i ka zvarritur aferat me veti.
“Kur merrej me çështje rajonale, ai ishte i ngarkuar për grindje. Serbët në shtetet e rajonit kanë pasur vetëm probleme për shkak të tij. Është fare e sigurt se fakti që ai u gjend në listën e sanksioneve nuk është i pabazë. Dhe është fare e sigurt se për shkak se ai u gjend në listën e sanksioneve, na erdhi një paralajmërim”, ka theksuar Ponosh.
Kryetari i Lëvizjes SRCE vlerësoi se pozicioni në të cilin gjendet Aleksandar Vullin nuk është në bazë të aftësisë së tij, por në bazë të marrëdhënieve personale të tij me shefin e tij, Aleksandar Vuçiq, përcjell Paparaci.
“Pyetja është pse Vuçiq e emëroi atë në krye të BIA-s. A ishte vetëm për të monitoruar gazetarët e pavarur dhe politikanët e opozitës, apo ai ishte ende në krye të këtyre punëve që përmenden në aktin e sanksioneve”, ka thënë Ponosh, duke pretenduar se ky akt tërheqë vëmendjen edhe në rastin e Jovanjiqit.
“Askujt nuk i pëlqen kur një shtet godet një person në pozitë aq të lartë shtetërore dhe e vendos nën sanksione. Por ai njeri tashmë është i njohur për të bëmat e tij te njerëzit në rrugë. Edhe ai, edhe Gashiqi (ish-kreu i BIA-s dhe aktualisht ministri serb i brendshëm)”, ka thënë Ponosh.
Ai përkujtoi se këto ditë në gjykimin e Jovanjiqit, inspektori Dushan Mitiq po flet për faktin se hetimet kanë shkuar në drejtim të Gashiqit.
“Por, para gjithë kësaj, njerëzit në rrugë e dinin se as Vullini e as Gashiqi nuk e kishin vendin nëpër këto pozita. Njerëzit dhe publiku e di kur dikush është mashtrues, i paaftë, jo kompetent apo kriminel”, ka theksuar Ponosh.
Ai ka vlerësuar se regjimi aktual e ka shkatërruar plotësisht aparatin e sigurisë, gjë që sipas tij nuk është për t’u habitur, kur shikon kush ka qenë në krye të ministrive të sigurisë gjatë gjithë këtyre 10 viteve – Gashiq, Vullin, Stefanoviq, por edhe tjerë./Paparaci.com
