Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, sot është takuar me ambasadorin rus, Alexandar Botsan-Kharchenko, të cilin “e ka njoftuar për dhunën politike, juridike dhe fizike që Kosova po ushtron ndaj serbëve në Kosovë”.
Sipas komunikatës së zyrës së tij për media, Vuçiq ka shprehur edhe një herë “shqetësimin për situatën e sigurisë në Kosovë”, e cila, sipas fjalëve të tij, “përveç që rrezikon jetën dhe mbijetesën e serbëve, kontribuon në ngritjen e tensioneve në mbarë rajonin”. Ai gjithashtu ka pretenduar se Serbia “mbetet e qëndrueshme në udhëheqjen e një politike të përgjegjshme paqeje dhe stabiliteti”.
Ambasadori rus Botsan-Kharchenko ka pretenduar se “Moska zyrtare i ndjek të gjitha ngjarjet dhe e kupton qëndrimin e Serbisë, si dhe situatën delikate”, pretendohet në njoftim, transmeton Paparaci.
Vuçiqi po ashtu i ka thënë ambasadorit rus se “është e nevojshme mbajtja e një seance të veçantë të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, në mënyrë që e gjithë bota të informohet për situatën e tensionuar në Kosovë dhe gjendjen e rëndë të serbëve atje”.
Vuçiq ka shkruar edhe në profilin e tij në Instagram se Serbia do të kërkojë një seancë të Këshillit të Sigurimit./Paparaci.com
