Është arrestuar Faruk Mujka kryeshef ekzekutiv i Bordit të Ndërmarrjes Hidroekonomike “Ibër-Lepenci”, nën dyshimin për korrupsion derisa ishte nënkryetar i Komunës së Mitrovicës, raporton Betimi për Drejtësi.
Mujka ishte nënkryetar i Mitrovicës, në kohën sa kjo komunë udhëhiqej nga Kryetari Agim Bahtiri. Mujka njëherësh ishte edhe Kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje në Mitrovicë.
Sipas raportimeve të mediave, ish-nënkryetari i Mitrovicës kishte qenë pjesë e partisë së gruas së Sllobodan Millosheviqit, Mira Markoviq.
Këto pretendime, Mujka nuk i ka mohuar asnjëherë.
Tetorin e 2021-s, Mujka kishte dhënë dorëheqjen nga posti i kryetarit të degës së VV-së në Mitrovicë, por ka mbajtur funksionin e asamblistit në Kuvendin Komunal të Mitrovicës dhe anëtarit të Vetëvendosjes deri në dhjetor të vitit të kaluar kur u zgjodh kryeshef i Ibër-Lepencit.
