Të fundit

​Rival lokal me Ballkanin, ekipi i Suharekës synon Superligën

Klubi i futbollit Suhareka është skuadra më e re në skenën e futbollit kosovar që në edicionin e ri do të garojë në Ligën e Parë.

Themelimi i këtij klubi u bë nga bashkimi i forcave të pesë aksionarëve, të cilët kanë nisur menjëherë punën ambicioze që kjo skuadër të jetë në mesin e ekipeve që synojnë inkuadrimin në Superligën e Kosovës.

Serioziteti i këtij projekti u pa që në ditët e para kur klubi arriti marrëveshje me trajnerin me përvojë në futbollin kosovar Granit Begolli. Ky i fundit thotë për KosovaPress se nga ajo që ka parë në këto pak ditë pune, ky klub do të jetë shembull i organizimit për të gjitha skuadrat e tjera kosovare.

 

“Kemi filluar një projekt të ri me njerëz që nuk janë të rinj në futboll, që kanë qenë në futboll edhe më herët, por një klub shumë i organizuar, me gjithçka që i nevojitet një klubi, ndoshta shumë shpejtë do ta kuptoni që do të jetë shembull për klubet rreth organizimit se si organizohet një skuadër… Mund të them lirisht që 100 për qind i janë përgjigjur kërkesave të mia rreth organizimit të klubit, rreth futbollistëve, emrat që janë pretenduar të sillen kanë ardhur në klub, kështu që e gjithë kjo më ka bërë mua ta pranoj një projekt shumë serioz me njerëz që kanë vizion të qartë për të ardhmen”, thotë Begolli.

Ish-trajneri i Feronikelit e thotë hapur që me Suharekën synon inkuadrimin e menjëhershëm në Superligë, derisa tregon edhe nëse skuadra që e drejton synon të jetë rival i denjë për kampionin e Kosovës, Ballkanin.

 

“Na pret një garë shumë e fortë. Nëse na jepet mundësia që të luftojmë për inkuadrim në Superligë sigurisht se do ta shfrytëzojmë. Kontigjenti i futbollistëve nuk na lejon që ne të pretendojmë diçka më pak, por sigurisht që do të shohim rrugës se si do të rrjedhin gjërat…Ne jemi shumë të rinj, nuk pretendojmë që të bëjmë gara me Ballkanin, ne pretendojmë që të jemi klub që do ta organizojmë në mënyrën tonë. Organizimi i klubit nuk ka të bëjë asgjë më atë rreth Ballkanit, është një projekt i njerëzve shumë seriozë, kështu që ne nuk do të bëjmë gara në veçanti me Ballkanin, por me të gjitha skuadrat”, deklaron Begolli.

Tutje, Begolli zbulon për KosovaPress se skuadra do t’i bëjë edhe dy përforcime që mund të jenë nga skuadrat që janë pjesë e Superligës së Kosovës.

 

“Kemi bisedime edhe me futbollistë që janë në Superligë, duke parë lëvizjet që kanë ndodhur, interesimi ka qenë shumë i madh edhe prej futbollistëve të Superligës që të vijnë të luajnë, por do të shohim se çfarë do të zgjedhim, jemi në bisedime me disa, por për të mos i prishur punë ndoshta dikujt për shkak se disa prej tyre janë duke luajtur në Evropë, mund t’ua prishim rehatinë, ndoshta ditëve në vazhdim do të mësoni më shumë”, thekson Begolli.

Qemajl Elshani është futbollisti që e la Lirinë për Suharekën, edhe pse skuadra prizrenase është pjesë e Superligës. Pas këtij vendimi të tij, Elshani thotë se ka vetëm një arsye.

 

“Projekti serioz dhe ambiciet e klubit, ky organizim i jashtëzakonshëm më bëri që t’i them po ofertës së Suharekës…Synimi është pjesa e epërme e tabelës dhe inkuadrimi në Superligë…Grupi, në të cilin jemi ne është grup me ekipe që kanë shumë përvojë dhe me traditë në futbollin kosovar dhe nuk do të jetë e lehtë sigurisht”, thotë Elshani.

Udhëheqja nga trajneri Granit Begolli dhe kontingjenti i lojtarëve, sipas futbollistit Donart Sheqerolli, janë arsyet që tregojnë se kjo skuadër është ambicioze dhe pretendente për majat e tabelës në edicionin debutues të saj.

 

“Bashkëpunimi me trajnerin është shumë i mirë, është e katërta skuadër që jemi duke bashkëpunuar, më herët kemi pasur sukses dhe shpresojmë që suksesin e njëjtë që kemi pasur stinorin e kaluar ta ofrojmë edhe në klubin e Suharekës…Ambiciet e klubit shihen që janë shumë serioze, vërehet që janë për Superligë, besoj që me kontingjentin e lojtarëve që e kemi, jemi ekip shumë serioze për majat e tabelës”, shprehet Sheqerolli.

Por, përtej të gjithë këtij serioziteti, Suharekës i mungon një fushë stërvitore me kushte optimale për stërvitje.

Adrian Hoxhaj, që është njëri nga aksionarët e klubit, thekson se janë në bisedime me kryetarin e Suharekës, Bali Muharremajn që përveç ndeshjeve, edhe stërvitjet t’i zhvillojnë në stadiumin e këtij qyteti.

 

“Ne mendojmë të bisedojmë me kryetarin e Suharekës, Bali Muharremajn, me Arsim Kabashin e Ballkanit për të gjetur një gjuhë të përbashkët që ne t’i bëjmë edhe stërvitjet atje, sepse për ndeshje atje do t’i bëjmë, në Suharekë, por besoj që meqenëse edhe ne jemi të Suharekës, na takojnë dy apo tri orë stërvitje në ditë…Suhareka ka nevojë shumë, jo vetëm për një stadium, por për dy stadiume”, thotë Hoxha.

Hoxha në fund shton se drejtuesit e këtij klubi do të punojnë me përkushtimin më të madh që Suhareka të ecën hapave të Ballkanit për të arritur suksese të mëdha.

Video nga Paradoks

Përplasje e fortë në VV SHOW mes Kajtazit e Ymerit

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci