Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, tha se Kosova nuk ka parë korrupsion më të madh sesa ky në qeverisjen e Kurtit.
“Nëse ka pasur korrupsion në Kosovë ndonjëherë, ky është korrupsion i jashtëzakonshëm që ka depërtuar në poret e çdo institucioni dhe çdo niveli qeverisës, por që ka një piramidë të caktuar. Nuk është korrupsion jo i strukturuar, por i strukturuar dhe i lidhur drejtpërdrejtë me qeverisjen dhe kryeministrin Kurti”, tha Krasniqi në Rubikon të Klan Kosovës.
Ai shtoi se korrupsioni më i madh po ndodhë në fushën e energjisë, dhe se ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, është personazhi kryesor.
“Në momentin kur do të publikohet, dëshmohet dhe zbulohet tregimi, në qendër të së cilit qëndron ambasadori i Kosovës në Kroaci, shoku i Albin Kurtit, Martin Berishaj, unë besoj se secili qytetar do ta shohë që korrupsioni masiv që ka ndodhur në këtë qeverisje, ka qenë i përmasave që ndoshta as në rajon nuk kemi me i gjetë, krimin dhe korrupsionin që është bërë në fushën e energjisë në këtë qeverisje. Martin Berishaj është pika gravidacionale, qendra e skandalit më të madh korruptiv e financiar në rajon që bazën e ka në Slloveni e Serbi, njeri ka bajtë pare me çanta”, deklaroi Krasniqi.
Ai, po ka treguar përse subjekti që ai drejton nuk po i bashkëngjitet iniciativës së AAK-së për mocion mosbesimi ndaj Qeverisë Kurti.
Krasniqi tha se ky mocion nuk mund të jetë i suksesshëm në konstalacionin aktual politik.
“Ne e kemi një parlament, aty janë 120 deputetë, kanë emër, mbiemër dhe përkatësi partiake. Krejt opozita bashkë jemi 41 ose 42, domethënë ka hapësirë nëse të gjithë ishim pajtu sa për ta bërë mocionin dhe për ta dërguar në procedurë parlamentare, në momentin që e dërgojmë seanca mbahet jo më herët se dy, e jo më vonë se pesë ditë, ku mund t’i gjejnë partitë tona opozitare edhe 20 deputetë tjerë nga Lëvizja Vetëvendosje? Unë në asnjë mënyrë nuk e llogaris asnjë votë nga Lista Serbe”, tha Krasniqi në Rubikon të Klan Kosovës.
Duke folur për votat potenciale të deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Krasniqi tha se shumica e këtyre deputetëve janë aksidental, prandaj nuk votojnë për mocion mosbesimi.
“Kush është ai që vërtetë beson që munden 15 deputetë të Vetëvendosjes sot ta tradhtojnë Albin Kurtin dhe vetveten? Shumica e atyre deputetëve, me respektin personal për secilin, janë deputetë aksidental, kanë qëlluar në listën e Albin Kurtit dhe janë bërë deputetë, nuk i njeh as mahalla, as rrethi, as qyteti, as fshati, as komuna e vet, pra janë deputetë aksidental sepse kanë qëlluar në listën e Vetëvendosjes ku Albin Kurti bashkë me Vjosa Osmanin i kanë marrë 51% të votave dhe ata janë bërë deputetë, 90 për qind kurrë deputetë më nuk bëhen, në momentin që ata e përfundojnë mandatin e Albin Kurtit realisht ata e kanë kry”, tha Krasniqi.
