Në mungesë të përfaqësuesit nga Zyra e Rregullatorit per Energji (ZRRE), është shtyrë seanca e paraparë të mbahet këtë të enjten, në rastin ku KESCO po kërkon anulimin e vendimit të lëshuar nga ZRRE.
Në seancën e sotme e pranishme ishte përfaqësuesja e autorizuar e paditësit Kesco, Diellëza Lukaj ndërsa pala e paditur ZRrE përmes parashtresës ka kërkuar shtyrjen e seancës se sotme me arsyetimin se përfaqësuesi i tyre është në një udhëtim zyrtar.
Një propozim të tillë për shtyrje të seancës nuk e kundërshtoi pala paditëse dhe të njëjtin e aprovojë gjykatësja e lëndës Vlora Pacolli-Rexhepi.
Në rrethana të tilla seanca e sotme është shtyrë ndërsa e radhës do mbahet më 20 shtator të këtij viti, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ndryshe, Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike sh.a –KESCO përmes padisë së ushtruar më 15 maj 2019 ka kërkuar anulimin e vendimit të lëshuar më 28 mars 2019 nga Zyra e Rregullatorit për Energji.
Sipas padisë, paditësi KESKO përmes vendimit të ZRRË-së është obliguar të shkarkojë shifrën e konsumatorit dhe të anulojë korrigjimin plotësues të datës 8 dhjetor 2014, të ngarkuar si faturim plotësues në vlerë financiare prej 8 mijë e 734 euro e 86 centë, mirëpo që konsiderojnë se nuk ka asnjë argument të vlefshëm mbi të cilën bazë duhet obliguar paditësi për këtë.
Paditësi ka kërkuar anulimin e këtij vendimi pasi sipas tyre, i njëjti është marrë në baza të mbështetjes së mungesës së dëshmive dhe dokumentacionit mbështetës meqë kërkesa e tyre për dokumentacion nga KEDS nuk është prezantuar dhe nuk ka shkuar të personi adekuat përgjegjës për furnizim me këto analiza dhe dokumentacionin e kërkuar nga ZRRE.
