Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Bedri Hamza ka paralajmëruar padi ndaj një personi me emrin Qëndrim Krasniqi i cili sot ka deklaruar se i arrestuari në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë sot, Irfan Lipovica është dhëndërr i Bedri Hamzës dhe është i martuar me vajzën e vëllaut të tij”.
Ai ka thënë se nëse ky person nuk e tërheq deklaratën e tij dhe nuk kërkon falje për shpifje, do ta padisë.
Hamza ka thënë se i ka dy vajza dhe janë të pamartuara ndërsa vëllau i tij e ka një vajzë që gjithashtu nuk është e martuar.
“Gjuhës së tillë shpifëse, fyese, mashtruese e propaganduese duhet t’i vijë fundi. Qëndrim, shihemi në gjykatë!”, ka shkruar Hamza.

Krasniqi, në postimin e tij në Facebook kishte thënë se Irfan Lipovica është dhëndër i Bedi Hamzës dhe ka pretenduar se nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku e kishte punësuar në Ministri të Integrimeve Evropiane.
Ai kishte akuzuar PDK-në për “dallavere” dhe kishte paralajmëruar se i arrestuari tjetër vjen nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Megjithatë, duket se ky qytetar, do të përballet në gjykatë me kreun e Mitrovicës.

