Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq ka dramatizuar sërish duke thënë sot se java e ardhshme do të jetë jashtëzakonisht e vështirë për Serbinë, pasi sipas tij, do të ketë presion shtesë ndaj Serbis për të vendosur sanksione ndaj Rusisë”.
Duke folur për TV Pink, ai tha se respektimi i politikës së jashtme të BE-së nuk është problemi i vetëm në marrëdhëniet e Serbisë me këtë organizatë, “por se ka diçka tjetër”, raporton Danas, transmeton Paparaci.
“Shqipëria mburret se është 100% në përputhje me BE-në dhe pyet veten pse nuk i hapin negociatat. Disa vende fqinje marrin vetëm kërkesa dhe i zbatojnë ato menjëherë. Kjo tregon se respektimi i politikës së jashtme të BE-së nuk është problemi i vetëm në marrëdhëniet tona me ta”, u shpreh ai.
Mediat atje raportojnë se Vuçiq do të jetë në Athinë nesër dhe të martën, në një takim joformal të liderëve të vendeve të rajonit, ku do të marrin pjesë edhe përfaqësues të lartë të Bashkimit Evropian.
