Zyrtari i PDK-së, Përparim Gruda, u ka reaguar qeveritarëve për gjuhën e tyre akuzuese ndaj sistemit të drejtësisë, pasi u arrestuan dy zyrtarë të MINT-it dhe një biznesmen për keqpërdorim të rezervave të shtetit.
Të shtunën, Gjykata Themelore në Prishtinë u ka caktuar nga një muaj paraburgim tre të dyshuarve për keqpërdorim me rezervat shtetërore.
Dy të arrestuarit në MINT janë Drejtori i Divizionit për Rezervat Shtetërore të Mallrave, Hafiz Gara, dhe drejtori i Departamentit për Integrim Evropian dhe Koordinim të Politikave, Irfan Lipovica. Ndërkaq, i dyshuari tjetër Ridvan Muharremi, është afarist i arrestuar në lokalin e tij “Bukë e Zemër”.
Megjithatë, Gruda u shpreh se “ashpërsia dhe ngutia e zyrtarëve të pushtetit për të komentuar hetimet e prokurorisë, dhe fyerjet e tyre ndaj prokurorëve, zbulojnë ankthin e madh që kanë për zbulimin e të vërtetës të aferës së grurit dhe vajit”.
“Është krejt e thjeshtë: nëse do të ishin të sigurt që janë të pastër, do të thoshin që nuk kemi asgjë për të fshehur dhe do të prisnin rezultatin e hetimit”, shkroi ai në Facebook.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se nuk ka kurrfarë keqpërdorimi dhe korrupsioni në MINT, dhe ka shtuar se në qeverinë e tij janë investuar mbi 25 milionë euro për rezerva shtetërore.
