Për periudhën tre mujore jashtë vendit udhëtuan gjithsej 27 deputetë.
Dikush mori më shumë mëditje, e dikush më pak.
E, nga të gjithë këta deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi po del të ketë marrë më shumë.
Abazi që kohët e fundit ka pasur pakënaqësi me lidershipin e partisë së tij, për një udhëtim zyrtar në Austri më 20 shtator të këtij viti mori gjithsej 902.88 euro, shkruan FrontOnline.
Hiç më pak se 266.40 euro Abazi mori mëditje edhe për një udhëtim që ka bërë në Bruksel më datën 29 tetor.
Ndërsa, vetëm një ditë para kësaj më 28 tetor deputeti Abazi, mori mëditje edhe për një udhëtim zyrtar që bëri në Shqipëri.
Për këtë udhëtim ai mori nga Kuvendi mëditje prej 78 euro.
E, nëse mblidhen të gjitha këto atëherë sipas dokumentit i bie që Abazi ka marrë një mijë e 247.28 euro mëditje për tri udhëtime që ka realizuar jashtë vendit.
Përkthyer me rrogën mesatare të një punëtori në Kosovë, i bie që deputeti Abazi të ketë përfituar mëditje sa tri paga mesatare në vend. Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), paga mesatare bruto në sektorin privat, në vitin 2020, ka qenë 380 euro.
