Kapiteni i Përfaqësueses së Kosovës, Amir Rrahmani është deklaruar sot në konferencë për media para përballjes ndaj Zvicrës që do të zhvillohet nesër.
Krahas pyetjeve për ndeshjen, kapiteni i “Dardanëve” është pyetur edhe për raportin e tij me futbollistët shqiptarë që përfaqësojnë Zvicrën.
I pyetur për kapitenin e helvetikëve, Granit Xhakën, Amir Rrahmani deklaroi se të gjithë shqiptarët ndihen krenarë me atë se çfarë ai ka arritur.
“Normalisht është shqiptar dhe të gjithë krenohemi me të. Krenohemi me golat që ai ka shënuar, jo vetëm ndaj Serbisë por edhe skuadrave tjera. Ai është një nga ne, është shqiptar dhe jemi krenarë me atë që ka arritur”, ka deklaruar kapiteni Rrahmani.
Rrahmanin është pyetur edhe për kombëtaren zvicerane, që ne mesin e saj ka shumë shqiptarë.
“Ka shumë lojtarë shqiptarë që përfaqësojnë Zvicrën por është normale dhe do të ketë gjithmonë pasi që ka shumë shqiptarë që jetojnë atje. Zvicra është një kombëtare shumë e fortë, pasi ka kohë që ka arritur kampionatet evropiane e botërore”, deklaroi Rrahmani.
Lidhur me motivimin dhe fokusimin e futbollistëve, Rrahmani nuk u shpreh edhe shumë i sigurt për këto kualifikuese, por shtoi se do të përgatiten për sfidat e radhës.
“Kemi rënë pak moralisht por jam munduar me dhënë më shumë motivim. Nëse jo këto kualifikuese atëherë duhet të përgatitemi për kualifikimet e ardhshme”, përfundoi ai.
Kosova do ta zhvillojë nesër ndeshjen e radhës në kuadër të eliminatoreve për Kampionatin Evropian. “Dardanët” do të përballen me Zvicrën në stadiumin “Fadil Vokrri” me fillim nga ora 20:45.
