Të fundit

Grupi i Radoiçiqit përdori plumba të rinj dhe mina të riparuara nga Serbia

Municioni i përdorur nga anëtarët e grupit të armatosur gjatë konfliktit në Banjskë është prodhuar në fabrikën serbe “Belom” në vitin 2022, dhe minat e mortajave dhe “zolat” janë riparuar në institutet shtetërore në vitin 2018 dhe 2021, tregon hulumtimi i BIRN-it.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe Qeveria e Serbisë mohuan çdo lidhje me grupin e udhëhequr nga Millan Radoiçiq, i cili vrau një polic kosovar në orët e hershme të mëngjesit të 24 shtatorit në Banjskë, në veri të Kosovës, dhe më pas u barrikadua në manastirin e Banjskës. Sipas të dhënave zyrtare, tre sulmues të armatosur janë vrarë.

Qeveria e Kosovës pretendon se përfshirja e Radoiçiqit tregon qartë se grupi kishte mbështetjen e Beogradit. Radoiçiq mori përgjegjësinë dhe hodhi poshtë pretendimet se kishte mbështetjen e institucioneve të shtetit serb.

Megjithatë, hulumtimi i BIRN-it, bazuar në analizën e fotografive dhe videove të armëve të publikuara nga Policia e Kosovës, si dhe në intervistat me ekspertë të armëve, tregoi se një pjesë e armëve të sekuestruara, të cilat  u përdorën nga grupi i Radoiçiqit, ka kaluar nëpër sistemin e shtetit serb, transmeton Paparaci.

Gazetarët e BIRN-it janë marrë me analizën e armëve nga të cilat mund të lexoheshin shenjat, duke përcaktuar vendin e prodhimit ose riparimin, si dhe llojin e armës dhe vitin e prodhimit.

Ndër armët e sekuestruara janë plumbat e kalibrit 7.62×39 mm për pushkë automatike të prodhuara në fabrikën “Belom” në Uzhicë – në vitin 2022.

Minat e mortajave dhe “zolat” M-80, të cilat janë konfiskuar nga Policia e Kosovës, janë riparuar në vitin 2018 dhe 2021 në Institutin e Remontit Teknik në Kragujevc, ndërsa granatahedhësi automatik M93 ka qenë në një moment në Institutin e Remontit Teknik në Çaçak.

BIRN ka identifikuar gjithashtu edhe minat kundër këmbësorisë me veprim të drejtuar shpërthyes, MRUD, të cilat normalisht Serbia i ka në magazinat e saj ushtarake.

Ekspertët e intervistuar nga gazetarët e BIRN pohojnë se këto armë mund të kenë arritur në Banjskë në disa mënyra: ose janë vjedhur nga magazinat shtetërore, ose janë shitur tregtarëve privatë të armëve, të cilët më pas ia dhanë ose ia shitën Radoiçiqit – ose dikush nga kreu i shtetit i ka dorëzuar atij këto armë, përcjell Paparaci.

Analisti ushtarak Aleksandar Radiq ka thënë se është e vështirë të imagjinohet se dikush mund të arrijë deri te një sasi e tillë të armëve të rënda pa bashkëpunimin e zyrtarëve shtetërorë serbë.

“Serbia ka kontrolle të rrepta mbi eksportet dhe nuk është realiste që kompanitë private të kenë marrë certifikata për përdoruesit e fundit, të themi, për ndonjë vend afrikan, dhe më pas kanë marrë armë nga ato për t’ia dhënë grupit të Radoiçiqit”,

Duke iu përgjigjur akuzave se grupi i armatosur ka përdorur armë të prodhuara në Serbi, ministri i Mbrojtjes Millosh Vuçeviq ka thënë se kjo nuk dëshmon asgjë, duke theksuar se edhe Policia e Kosovës përdor armë të prodhuara në Serbi.

Deri në publikimin e këtij teksti, Ministria e Mbrojtjes nuk iu përgjigj pyetjeve të BIRN për armët specifike që janë analizuar./Paparaci.com

Video nga Paradoks

Përplasje e fortë në VV SHOW mes Kajtazit e Ymerit

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci