Ndonëse ka barazuar në dy ndeshjet e fundit në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian, përzgjedhësi Murat Yakin do të vazhdojë të mbetet në krye të kombëtares zvicerane në futboll.
Kështu e ka bërë të qartë sot i pari i futbollit zviceran, Dominique Blanc. Pasi Zvicra lëshoi pikë në kualifikime, kishte zëra që e bënin të mundur largimin nga stoli të përzgjedhësi zviceran, mirëpo shefi i tij i ka shuar të gjithë zërat.
Për Blanc, Yakin do të vazhdojë të mbetet në krye të kombëtares dhe beson që me drejtimin e tij kualifikimi në Evropian do të jetë i mundur.
“Nuk ka asnjë debat rreth Yakin. Ai është dhe mbetet trajner i ekipit zviceran. ASF nuk do ta lëshojë Yakin. Murat Yakin ka të gjithë besimin tonë për ta udhëhequr ekipin tonë drejt kualifikimit në Euro 2024 në Gjermani dhe siç e kemi diskutuar dhe komunikuar tashmë në qershor, do të ulemi së bashku pas kualifikimit dhe do të planifikojmë për të ardhmen”, ka thënë Blanc.
Megjithatë, kryetari i Federatës së Futbollit të Zvicrës ka deklaruar se nuk ka mbetur shumë i kënaqur me barazimet në dy ndeshjet e fundit, pasi synimi i tyre ishte vendi i parë në grup, por gara është akoma e hapur.
“Pas shtatë ndeshjeve pa humbje, skuadra zë vendin e dytë në grup me një pikë prapa Rumanisë, e cila megjithatë ka një ndeshje më shumë, vazhdon ai. Ne i kemi ende letrat në dorë për të përfunduar në vendin e parë dhe për t’u kualifikuar”, deklaroi ai.
Zvicra zhvilloi vetëm një ndeshje në tetor për shkak se ndeshja me Izraelin u anulua, ndërkaq në sfidën ndaj Bejllorusisë helvetikët u ndalën me barazim me rezultat 2:2.
