Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka thënë se nuk sheh arsye që vendimi për mosdekretimin e kryeprokurorit të shkojë në Kushtetuese, pasi ka shtuar se janë numëruar shkeljet që janë bërë në procedurën e përzgjedhjes.
Megjithatë, mundësinë për dërgimin e vendimit në Kushtetuese nuk e sheh si hap të duhur politik, pasi ka theksuar se është kohë e vështirë për Kosovën dhe “beteja” do të duhej të ishte kundër Serbisë dhe jo kundër presidentes së shtetit.
“Sidomos në këtë moment tepër të rëndë që po e kalon Republika e Kosovës, ku ne jemi duke u marrë me sfida të sigurisë që nuk i kemi parë në këto 25 vjet, kur kemi probleme të mëdha me Serbinë, që të hapet një betejë puro politike me presidenten në vend se betejat tona të ishin me presidentin e Serbisë, nuk i shoh si hap të duhur politik. Por, është vendim që e marrin deputetët dhe ne jemi të gatshëm ta mbrojmë qëndrimin tonë”, ka thënë ajo.
Ajo ka insistuar se vendimi nuk është ndikuar nga asnjëra instancë.
“Absolutisht jo. Kryetari i Kuvendit e ka sqaruar, ne nuk kemi diskutuar për vendimmarrjen time në rastin konkret. Ju siguroj se për këtë vendim sot, edhe kryeministri, edhe Qeveria, Kuvendi, e kanë kuptuar të njëjtën kohë me ju. Ky vendim është komplet i pandikuar, ky vendim nuk ndalet te personi, ky është ekskluzivisht i bazuar në shkeljet procedurale që janë bërë në përzgjedhjen e kandidatit për kryeprokuror, pra shkeljet që i ka bërë KPK-ja”.
