Të fundit

Gërvalles “i ringjallet” Asociacioni: Thoshte se ka vdekur, tash e arsyeton me Kushtetuesen

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, brenda një muaji ka dhënë dy deklarata të ndryshme sa i përket çështjes së Asociacionit.

Pas sulmit të 24 shtatorit në Banjskë, ku u vra polici Afrim Bunjaku, vetëm katër ditë më vonë, më 28 shtator, Gërvalla ka deklaruar se çështja e Asociacionit ka ndryshuar pas sulmit në veri.

Ministrja ishte shprehur se Asociacioni i komunave me shumicë serbe ka vdekur për ne dhe ndërkombëtarët, dhe se tashmë ka prioritete ndryshe në lidhje me BE-në dhe ShBA-në.

Ajo kishte deklaruar se prioriteti kryesor i diskutimeve me ndërkombëtarët është siguria.

“Të them të drejtën pas të dielës çdo bisedë për Asociacionin më duket e tepërt dhe nuk kanë kuptim. Asociacioni ka vdekur për ne dhe ndërkombëtarët. Të koordinojmë punën e komunave në veri të Kosovës është dallim tjetër. Janë katër parime të mos shkelë sovranitetin, Kushtetutën, të mos dëmtojë dhe të jenë koordinues”, kishte deklaruar Gërvalla në Top Channel.

Një muaj më vonë, Gërvalla ka ndryshuar deklaratën në lidhje me Asociacionin, pas takimeve në Bruksel të enjtën, ku ndërkombëtarët u takuan me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ku Kurti u shpreh i gatshëm të nënshkruajë, mirëpo sipas Qeverisë, shteti serb ka refuzuar, shkruan Paparaci.

Gërvalla, është shprehur se drafti i ri evropiano-amerikan për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, e respekton Kushtetutën e Kosovës.

Gjatë një interviste, ajo është shprehur se marrëveshja duhet të zbatohet.

“Ajo çfarë kryeministri i ka ofruar kancelarit gjerman, presidentit francez, kryeministres italiane dhe përfaqësuesve ndërkombëtarë është që më në fund të implementohet përfundimisht Marrëveshja bazike që kemi lidhur me Serbinë në Bruksel në shkurt të këtij viti dhe planin e implementimit të marsit, i cili parasheh në pikën 7 dhe 10 edhe një pjesë që lidhet me vetëmenaxhimin e serbëve të Kosovës”, është shprehur tani Gërvalla.

Tutje, ajo ka shtuar se në kuadër të kësaj marrëveshje, Kosova ka parë një draft të ri që ka ardhur nga BE-ja, që respekton shqetësimet rreth substancës së atij mekanizmi.

Gërvalla ka thënë se modeli i ri i propozuar respekton Kushtetutën e Republikës dhe si institucione të përgjegjshme, minimumi i asaj që kërkojmë me çfarëdo lloj propozimi që na vjen është respektimi i shtetësisë, i sovranitetit, i Kushtetutës së Republikës.

Ministrja tutje duke u arsyetuar për deklaratën ku ka thënë se Asociacioni ka vdekur, është shprehur se lidhet me atë asociacion që shkel Kushtetutën.

“Ai asociacion, i cili e shkel Kushtetutën e Kosovës është i vdekur edhe për ne edhe për bashkësinë ndërkombëtare. Një dokument i ri që kemi marrë, i cili nuk e di a do të quhet asociacion apo si do të quhet, i cili shërben për implementimin e planit të lidhur në shkurt, i respekton shqetësimet, e respekton Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe të gjitha dokumentet e tjera që sigurojnë funksionimin e shtetit tonë”, ka thënë ajo.

Të enjten, kryeministri Albin Kurti u shpreh i gatshëm të nënshkruante në Bruksel në Samitin e Këshillit Evropian Marrëveshjen Bazë për normalizim raportesh me Serbinë, Aneksin e Zbatimit – të dyja të dakorduara më herët sivjet – si dhe draftstatutin e propozuar së fundmi nga BE-ja dhe SHBA-ja.

Megjithatë, sipas Qeverisë së Kosovës, nënshkrimin e refuzoi Serbia.

Qeveria ka thënë se vetëm nënshkrimi nënkupton pranim dhe garanton zbatimin e marrëveshjeve. Pas takimeve, liderët evropianë – kancelari gjerman Olaf Scholz, presidenti francez Emmanuel Macron dhe kryeministria italiane Giorgia Meloni – kërkuan nga Kosova nisjen e themelimit të Asociacionit e nga Serbia jetësimin e njohjes de-facto./Paparaci

Video nga Paradoks

Përplasje e fortë në VV SHOW mes Kajtazit e Ymerit

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci