Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, ka thënë se propozimi për normalizimin e marrëdhënieve ka kohë që është në tryezë dhe se Kosova dhe Serbia duhet të arrijnë marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve sa më shpejt të jetë e mundur.
“E shihni, shumë çka po ndodh në botë dhe unë mendoj se në aspektin e dialogut, marrëveshja duhet të jetë ashtu siç ka thënë Lajçaku – sa më shpejt që të jetë e mundur. Ne e dimë se elementët e marrëveshjes kanë qenë në tryezë. Kanë të bëjnë me Asociacionin, kanë të bëjnë me shkallën më të madhe të internacionalizimit që po kërkon Kosova”, ka thënë Hill.
“Pra, gjithçka është mjaft e qartë. Këto elemente janë diskutuar për një kohë të gjatë, por ato u theksuan veçanërisht gjatë takimit të Ohrit. Është vërtet koha për të përshpejtuar dhe për të ecur përpara”, u ka thënë Hill gazetarëve kur u pyet nëse SHBA dhe BE kanë vendosur afati përfundimtar për arritjen e marrëveshjes përfundimtare në mes Kosovës dhe Serbisë, transmeton Paparaci.
Me kërkesë të gazetarëve, ambasadori Hill nuk ka dashur të komentojë deklaratën e presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila dje tha se Kosova duhet të formojë Asociacionin dhe se Serbia duhet të pranojë de facto pavarësinë e Kosovës.
“Unë vetëm do të them se nga këndvështrimi im, ne po flasim për elemente konkrete që janë në tryezë dhe për të cilat besojmë se janë pajtuar të dyja palët. Elementet kryesore dhe një nga to që është më i rëndësishëm për Serbinë është formimi i Asociacionit, ndërsa për Kosovën janë ato që lidhen me ndërkombëtarizimin më të madh të Kosovës”, ka thënë Hill.
“Të gjitha këto elemente duhet të përcaktohen me një saktësi të caktuar, në mënyrë që të mos ketë keqkuptime kur të kalohet në fazën e zbatimit”, ka thënë ambasadori amerikan në Beograd, dhe ka shtuar se gjithçka është e qartë dhe nuk ka më vend për pyetje se çfarë duhet bërë./Paparaci.com
