Departamenti amerikan i Shtetit ka vendosur në listën e sanksioneve Nexhat Krasniqin, ish-drejtorin e Departamentit të Prokurimit në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, për shkak të përfshirjes në korrupsion të madh.
Sipas njoftimit, atij do t’i ndalohet hyrja në SHBA.
“Si zyrtar publik përgjegjës për mbikëqyrjen e kontratave të prokurimit, Krasniqi ka abuzuar me postin e tij publik duke pranuar ryshfet në këmbim të dhënies së kontratës për lejimin e ndërtimit të parkut industrial në komunën e Drenasit nga kompania Eltoni”, u tha në njoftim.
Aktualisht, Krasniqi ushtron detyrën e shefit të Zyrës së Prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës.
Në muajin maj të vitit 2022, asokohe Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës e kishte larguar Krasniqin nga pozita e shefit të Prokurimit, dhe Ndriçim Mustafën e kishte caktuar në vendin e tij.
Këtë veprim ministria e kishte arsyetuar duke thënë se kjo kishte ndodhur si rezultat i bashkimit të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, me qëllim të koordinimit të aktiviteteve të dy Divizioneve të Prokurimit, deri në hyrjen në fuqi të rregullores së re për organizimin e brendshëm të MMPHI-së.
Por, disa muaj më vonë, në tetor të 2022-s ai ishte rikthyer sërish në pozitën e shefit të Zyrës së Prokurimit në MI. Ndërsa, Ndriqim Mustafa, në bazë të vendimit të ri ishte rikthyer në pozitën e Udhëheqësit të Divizionit të Prokurimit vetëm për pjesën e ish-MMPH-së.
Në vitin 2015, Nexhat Krasniqi ishte dënuar me 26 muaj burgim pasi u gjet fajtor për keqpërdorim të detyrës zyrtare në rastin e Parkut të Biznesit në Drenas.
Krasniqi kishte qenë edhe në departamentin e prokurimit në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.
Emri i Krasniqit ishte përmendur edhe në rastin gjyqësor për keqpërdorime në Ministrinë e Telekomunikacionit kur atë e drejtonte Fatmir Limaj, që atëbotë ishte zyrtar i Partisë Demokratike të Kosovës.
Në aktakuzë dyshohej se Krasniqi dhe Limaj kishin krijuar një grup të organizuar kriminal dhe kishin keqpërdorur autoritetin zyrtar dhe kishin marrë ryshfet duke favorizuar një kompani në procesin e prokurimit. Por, Krasniqi ishte liruar nga akuzat.
Ndryshe, Parku i Biznesit – për dhënien e lejes së ndërtimit u sanksionua Krasniqi – është krijuar më 2010. Sipas ueb-faqes së Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, për ndërtimin e saj ka investuar edhe kjo ministri.
Aktualisht, aty thuhet se janë të vendosura 41 biznese të sektorëve të ndryshëm.
