Zëdhënësja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sibel Halimi ka reaguar pas mburrjes së kryeministrit Albin Kurti në politikën e jashtme. Sipas saj, diplomacia kosovare është në qorrsokak.
Ajo thotë se “është kundër logjikës të lavdërohesh për suksese në diplomaci, në një kohë kur Kosova është nën masa shtrënguese, pikërisht nga aleatët e saj”.
Halimi shkruan se “kryeministri Kurti, në vend se të lëvizë në kahun e duhur për t’ia hequr sanksionet që i prekin drejtpërdrejt qytetarët kosovarë, ai shfaqet me krekosje”.
Tutje, Halimi thotë se në dy vite e gjysmë mandat, nuk pati asnjë njohje e asnjë anëtarësim në organizata ndërkombëtare.
“Në dy vite e gjysmë mandat, nuk patëm asnjë njohje, asnjë anëtarësim në organizata ndërkombëtare. E ta cilësosh aplikimin për sukses është absurditet.
Nëse i kujtojmë gafat e panumërta të zëvendëskryeministres Gërvalla në deklaratat e saj të pamatura dhe të dëmshme për vendin, atëherë mund të konkludojmë se diplomacia kosovare është në qorrsokak!”, shkruan ajo./Paparaci
