Pas kandidaturës së Tahir Batatinës, për stolin e Përfaqësueses së Kosovës është shprehur i gatshëm edhe trajneri Zekrija Ramadani.
Kosova shkarkoi trajneri slloven Primoz Gliha, ndërsa njoftoi se do të punojë për të gjetur një selektor të ri. Pas njoftimit të FFK-së kanë nisur edhe kandidaturat e trajnerëve si ajo e Batatinës e Ramadanit.
Trajneri shkupjan është shprehur i gatshëm për të marrë drejtimin e Përfaqësueses së Kosovës, pasi që sipas tij ai i plotëson të gjitha kriteret për të qenë një selektor.
“Vetëm emrin t’i përmendesh Kombëtares së Kosovës mban shumë përgjegjësi dhe është shumë domëthënëse per mua. Padyshim që do të kisha interes të isha në krye të Kosovës si trajner. Për të qenë trajner i nje kombëtarje, një person duhet të ketë disa veti të veçanta e jo vetëm dijen taktiko teknike, që personalisht mendoj që i posedoj ato veti. Poashtu mendoj që duhet të zgjidhet një trajner që përveç obligimit profesional, do të ketë edhe obligim moral për Kombëtaren e Kosovës”, deklaroi Ramadani për “Blic”, transmeton Paparaci.
Ndryshe nga dy trajnerët shqiptarë Batatina e Ramadani, trajneri Ismet Munishi është deklaruar se nuk është i gatshëm për të marrë drejtimin e Kosovës.
Që nga dita e djeshme prej kur FFK-ja njoftoi për ndërprerjen e bashkëpunimit me trajnerin Gliha, shumë lajme kanë qarkulluar rreth selektorit të ardhshëm të “Dardanëve”.
Ndër më të përfolurit ishin kroati Nenad Graçan dhe boshnjaku Blazh Slishkoviç.
