Të fundit

Prej Brukselit deri në Ohër: A e ka njohur Serbia de facto Kosovën?

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq vazhdon të pretendojë se nuk do të ketë njohje “as de facto dhe as de jure” të pavarësisë së Kosovës, ndërsa presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen beson se njohja de facto e pavarësisë së Kosovës në fakt nënkupton zbatimin e marrëveshjes së dakorduar në Ohër, shkruan N1.

“Për çfarë bëhet fjalë – zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit, i cili parasheh hapa të ndryshëm që përfshijnë njohjen e dokumenteve dhe të institucioneve të Kosovës nga Serbia me çfarë shkon së bashku edhe themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë”, ka thënë Von der Leyen, më 31 tetor, në një konferencë të përbashkët për media me presidentin e serb, Aleksandar Vuçiq, duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari për të sqaruar se çfarë do të thotë njohja faktike e pavarësisë së Kosovës, të cilën ajo e përmendi një ditë më parë në Prishtinë.

Përkundër kësaj, presidenti i Serbisë thekson se “nuk do të jetë ai që do të nënshkruajë pavarësinë e Kosovës”.

“Më vjen turp të shkoj nëpër Serbi dhe t’i arsyetohem çdokujt. Nuk ka dorëzim, nuk do ta njohim pavarësinë e Kosovës de fakto apo de jure, por duam paqe me shqiptarët, duam marrëdhënie të mira”, ka pretenduar Vuçiqi, duke përsëritur se Serbia “nuk do të heshtë as për anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara, e as nuk do ta njohë Kosovën”, transmeton Paparaci.

Fraza “njohja de facto e Kosovës”, e cila përmendet shpesh në opinionin vendas, sipas portalit serb Demostat, nuk paraqet ndonjë gjë të re dhe as shenjë se Serbia do të braktisë qëndrimin se Kosova është pjesë integrale e saj.

Ky portal pretendon se sipas burimeve nga qarqet diplomatike, “njohja de facto” është një monedhë të cilën Perëndimi e ka dedikuar në radhë të parë për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për të cilin do të jetë më e lehtë të sqarohet në vendin e tij se është e nevojshme që më në fund formojnë Asociacionin.

Demostati pretendon, gjithnjë sipas burimeve të tij, se Marrëveshja e Brukselit, e nënshkruar në prill 2013, përfaqëson njohjen e realitetit të ri në Kosovë, pasi Serbia, ndër të tjera, ishte pajtuar që komunat me shumicë serbe në veri të integrohen në sistemin e drejtësisë së Kosovës.

Duke folur për konceptin e njohjes de facto, ligjëruesi në Universitetin Webster, Mlladen Mrdal ka thënë për N1 se marrëdhënia midis dy termave “de facto” dhe “njohje” është kryesisht kontradiktore.

“Çështja e njohjes është që të mos lihet vend për paqartësi, ndërsa qëllimi i të bërit “de facto” është t’i lëmë hapësirë ​​dykuptimësisë. Ky është arti i diplomacisë: përdorimi i fjalëve dhe veprimeve për të ndryshuar perceptimet e realitetit në mënyrë që të zgjerohet hapësira për manovrim midis kërcënimeve të jashtme dhe të brendshme”, ka pretenduar Mrdal.

Më tej Mrdal thekson se në këtë kuptim lind pyetja se çfarë do të thotë njohje de facto.

“Le të imagjinojmë se çfarë mund të bëjë Serbia, le të themi: nënshkrimi i disa kontratave me Kosovën dhe konfirmimi i tyre në parlament (që quhet ratifikim dhe që përcjellë të gjitha kontratat ndërkombëtare), hapja e ambasadës serbe, miratimi i një rezolute parlamentare dhe/ose votimi për anëtarësimin e Kosovës në OKB. De facto, çdo akt mund të jetë njohje e shtetësisë së Kosovës, por vetëm një, ky i fundit (ratifikimi në Kuvend), nuk mund të tërhiqet. Prandaj ai është i rëndësisë më të madhe dhe është i vetmi akt de facto që krijon bazë ligjore për pavarësinë dhe shtetësinë e Kosovës”, ka pretenduar Mrdal./Paparaci.com

Video nga Paradoks

Përplasje e fortë në VV SHOW mes Kajtazit e Ymerit

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci