Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Jetish Maloku dyshohet se ka arritur marrëveshje me pushtetin e Lëvizjes Vetëvendosje për të penguar Blerim Isufajn të rizgjidhet Kryeprokuror i Prokurorisë Speciale, sipas një opinioni të gazetarit Vehbi Kajtazi.
Kajtazi, në një opinion të publikuar sot në Paparaci, shkroi se pushteti i LVV-së ka arritur marrëveshje me Malokun që një kandidat tjetër të emërohet Kryeprokuror i Speciales.
Sipas shkrimit të Kajtazit, Maloku do të zgjidhet gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës nëse pengon zgjedhjen e Isufajt në krye të Prokurorisë Speciale.
Në fillimin e këtij viti, Paparaci ka raportuar edhe për një rast tjetër të dyshimtë në të cilin implikohet Jetish Maloku.
Nazmi Krasniqi, dhëndri i Malokut, dyshohet se ka arritur të bëhej prokuror me një varg shkeljesh.
Paparaci, ka raportuar lidhur me këtë rast në janar të këtij viti, se për të arritur qëllimin që të bëhej prokuror Nazmi Krasniqi kishte kryer shkelje të rënda ligjore. Kishte ofruar dëshmi të rreme pranë institucioneve shtetërore. Dyshohet se kishte falsifikuar dokumente.
Gati dy vite para se të bëhej Prokuror i Shtetit më 2018, Nazmi Krasniqi punonte si zyrtar i lartë në Ministrinë e Punëve të Brendshme.
Duke mos hequr dorë nga marrëdhënia e punës në Ministrinë e Punëve të Brendshme, ai kishte arritur të pajiset me vërtetim ku deklarohej si i papunë nga Qendra për Punë Sociale në Malishevë. Sipas Ligjit për Avokatinë, njëri ndër kushtet që duhet të plotësohen për tu regjistruar si praktikant është që të mos jetë në marrëdhënie të punës.
Paparaci ka zbuluar dosjen e plotë të ngjitjes së Nazmi Krasniqi në Prokurorinë e Shtetit.
Sipas gjetjeve të Paparacit, Nazmi Krasniqi ishte regjistruar si praktikant në Zyrën e Avokatit Besnik Jakupi më 19 shkurt të vitit 2016. Praktikën e kishte përfunduar një vit më vonë, në 18 shkurt të vitit 2018.
Por, në kohën kur ishte regjistruar praktikant i avokatisë, ai kishte vazhduar të punonte si Zyrtar i Lartë në Ministrinë e Punëve të Brendshme, ka zbuluar Paparaci.
Me të njëjtat shkelje, ai kishte arritur të siguronte kushtin një-vjeçar të praktikës të kërkuar me Ligjin për Avokatinë, me qëllim që t’i hapte rrugë nënshtrimit të provimit të jurisprudencës. Provimit i ishte nënshtruar në prill të vitit 2017, bazuar në rezultatet e publikuara nga Ministria e Drejtësisë.
Në kohën kur kishte aplikuar dhe pastaj dekretuar si prokuror, Nazmi Krasniqi dyshohet se nuk i ka plotësuar kushtet për përvojën tre vjeçare të punës si jurist pas diplomimit.
Nga dokumentacioni që ai ka paraqitur pranë Këshillit Prokurorial, të cilin e ka siguruar të plotë Paparaci, rezulton se ai ka diplomuar më 11 shtator të vitit 2015, ndërsa punën si prokuror e ka filluar ne janar te vitit 2018. Periudha mes diplomimit dhe aplikimit të tij për t’u zgjedhur prokuror rezulton të jetë më e shkurtër sesa tre vjet.
Paparaci ka mësuar se Nazmi Krasniqi është dhëndër i Jetish Malokut, ish-Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Gjilan për shtatë vite, tash e gati katër vite Kryesues i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK). Krasniqi, po ashtu ka lidhje familjare me Lavdim Krasniqin, ish-drejtorin e Sekretariatit të KPK-së, të përfshirë në një aferë korruptive vitin e kaluar.
Dyshime për falsifikim, si u bë prokuror dhëndri i Jetish Malokut
