Të fundit

Dyshime për falsifikim, si u bë prokuror dhëndri i Jetish Malokut

Nazmi Krasniqi, dhëndri i kryesuesit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Jetish Maloku, dyshohet se ka arritur të zgjidhet Prokuror i Shtetit përmes një sërë shkeljesh ligjore, përfshirë ofrimin e dëshmive të falsifikuara për provimet e jurisprudencës dhe atë për prokuror.

Gati dy vite para se të bëhej Prokuror i Shtetit më 2018, Nazmi Krasniqi punonte si zyrtar i lartë në Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Që nga ajo kohe, ai i kishte vënë vetës synimin për t’u bërë prokuror.

Por, për t’u bërë prokuror ai kishte pengesa të pakapërcyeshme ligjore. I duhej të plotësonte një sërë kriteresh që kërkohen sipas Ligjit për Prokurorin e Shtetit dhe Ligjin për Provimin e Jurisprudencës. Hapi i parë: pajisja me certifikatë të Provimit të Jurisprudencës, Ligji parasheh që aplikuesi duhet të plotësojë kushtin një-vjeçar të praktikës në gjykata, prokurori të shtetit, në zyrë të avokatisë.

Për të arritur këtë qëllim, Nazmi Krasniqi kishte kryer shkelje të rënda ligjore. Kishte ofruar dëshmi të rreme pranë institucioneve shtetërore. Dyshohet se kishte falsifikuar dokumente.

Duke mos hequr dorë nga marrëdhënia e punës në Ministrinë e Punëve të Brendshme, ai kishte arritur të pajiset me vërtetim ku deklarohej si i papunë nga Qendra për Punë Sociale në Malishevë. Sipas Ligjit për Avokatinë, njëri ndër kushtet që duhet të plotësohen për tu regjistruar si praktikant është që të mos jetë në marrëdhënie të punës.

Paparaci ka zbuluar dosjen e plotë të ngjitjes së Nazmi Krasniqi në Prokurorinë e Shtetit.

Sipas gjetjeve të Paparacit, Nazmi Krasniqi ishte regjistruar si praktikant në Zyrën e Avokatit Besnik Jakupi më 19 shkurt të vitit 2016. Praktikën e kishte përfunduar një vit më vonë, në 18 shkurt të vitit 2018.

Por, në kohën kur ishte regjistruar praktikant i avokatisë, ai kishte vazhduar të punonte si Zyrtar i Lartë në Ministrinë e Punëve të Brendshme, ka zbuluar Paparaci.

Me të njëjtat shkelje, ai kishte arritur të siguronte kushtin një-vjeçar të praktikës të kërkuar me Ligjin për Avokatinë, me qëllim që t’i hapte rrugë nënshtrimit të provimit të jurisprudencës. Provimit i ishte nënshtruar në prill të vitit 2017, bazuar në rezultatet e publikuara nga Ministria e Drejtësisë.

Paparaci ka kërkuar nga Ministria e Punëve të Brendshme të sqarojë se kur është shkëputur marrëdhënia e punës me ish-zyrtarin Nazmi Krasniqi, por Zyra për Media e MPB-së nuk ka kthyer përgjigje lidhur me çështjet e ngritura nga mediumi.

Ndërkaq, Oda e Avokatëve të Kosovës (OAK) ka konfirmuar kushtin që asnjë praktikant i regjistruar i avokatisë nuk mund të jetë në marrëdhënie pune derisa kryen praktikën. Ka thënë se Nazmi Krasniqi është i evidentuar si praktikant në Zyrën e avokatit Besnik Jakupi mes viteve 2016-2017.

“Bazuar në evidencat të cilat posedon Oda e Avokatëve të Kosovës, Këshilli Drejtues me vendimin Nr.1404-1/2015 të datës 19.02.2016, ka aprovuar kërkesën me nr.1404/15 e datës 30.12.2015, ashtu që z. Nazmi Krasniqi, jurist i diplomuar nga fshati Llashkadrenoc – Malishevë, regjistrohet në regjistrin e praktikantëve të Odës së Avokatëve të Kosovës, me qëllim që të ushtroj praktikën në zyrën e avokatit Besnik Jakupi me seli të zyrës në Prishtinë”, thuhet në përgjigjen e OAK për Paparacin.

“Lidhur me dyshimet tuaja rreth marrëdhënies së punës Oda e Avokatëve të Kosovës, ju njofton se bazuar në Ligjin për Avokatinë, neni 23 paragrafi 1.4, njëri ndër kushtet që duhet të plotësohet për tu regjistruar si praktikant është që të mos jetë në marrëdhënie të punës”, ka konstatuar OAK.

Paparaci, po ashtu ka kërkuar nga Qendra për Punë Sociale në Malishevë informata mbi dëshminë e nxjerrë nga Nazmi Krasniqi në këtë institucion, ku deklarohej si i papunë derisa kishte marrëdhënie të rregullta pune me Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Drejtori i Drejtorisë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në Komunën e Malishevës, Hajdin Berisha ka thënë se nuk posedon asnjë të dhënë nëse ky vërtetim i nxjerrë nga Nazmi Krasniqi, është lëshuar nga Qendra për Punë Sociale apo Enti i Punësimit.

“Informatën që e kërkoni për momentin nuk e kemi përgjigjen. Ky vërtetim nuk kam të dhëna nëse është lëshuar nga Qendra për Punë Sociale, apo Enti i punësimit”, ka thënë Berisha në një përgjigje me shkrim për Paparacin, derisa ka shtuar se është në pritje për të dhëna shtesë nga Paparaci.

Sikurse Nazmi Krasniqi, edhe Besnik Jakupi – në zyrën e të cilit ai kishte kryer praktikën në mënyrë të dyshimtë – është zgjedhur prokuror i Shtetit në vitin 2019. Jakupi aktualisht shërben i prokuror në Prokurorinë Themelore në Prishtinë.

Këshilli Prokurorial i Kosovës, në të cilin kryesues është Jetish Maloku, nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet me shkrim të cilat Paparaci i ka dërguar në adresë të Zyrës për Media të këtij institucioni para nëntë ditësh.

Dyshime nepotizëm, lidhja me Jetish Malokun

Pos këtyre shkeljeve, për të aplikuar në Konkursin për Prokuror në Këshillin Prokurorial të Kosovës më 2017, Nazmi Krasniqi dyshohet se kishte ofruar dëshmi të tjera false me qëllim që të arrinte synimin e tij për t’u bërë prokuror.

Në kohën kur kishte aplikuar dhe pastaj dekretuar si prokuror, Nazmi Krasniqi dyshohet se nuk i ka plotësuar kushtet për përvojën tre vjeçare të punës si jurist pas diplomimit.

Nga dokumentacioni që ai ka paraqitur pranë Këshillit Prokurorial, të cilin e ka siguruar të plotë Paparaci, rezulton se ai ka diplomuar më 11 shtator të vitit 2015, ndërsa punën si prokuror e ka filluar ne janar te vitit 2018. Periudha mes diplomimit dhe aplikimit të tij për t’u zgjedhur prokuror rezulton të jetë më e shkurtër sesa tre vjet.

Me të njëjtat shkelje, ai ishte zgjedhur Prokuror i Shtetit në fund të vitit 2017. Dyshohet se kishte përdorur lidhjet e tij brenda sistemit prokurorial.

Paparaci ka mësuar se Nazmi Krasniqi është dhëndër i Jetish Malokut, ish-Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Gjilan për shtatë vite, tash e tri vite Kryesues i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK). Krasniqi, po ashtu ka lidhje familjare me Lavdim Krasniqin, ish-drejtorin e Sekretariatit të KPK-së, të përfshirë në një aferë korruptive vitin e kaluar.

Nga informatat që Paparaci ka siguruar, se gjatë shqyrtimit të aplikacioneve në konkursin për prokuror, komisioni i shkallës së pare ia kishte refuzuar Nazmi Krasniqit kërkesën për të iu nënshtruar provimit për shkak te mosplotësimit të kritereve Iigjore, gjegjësisht te përvojës se punës pas diplomimit. Mirëpo pas ankesës, Komisioni i Ankesave pranë KPK-së ia kishte aprovuar atij ankesën dhe ia kishte mundësuar hyrjen në provimin për prokuror përkundër shkeljeve të dyshuara ligjore.

Në janar të vitit 2018, ai kishte filluar punën si prokuror në Prokurorinë Themelore në Gjakovë.

Pas tri vitesh përvojë pune si prokuror, në korrik të vitit 2022, Nazmi Krasniqi është transferuar nga Gjakova në Prokurorinë Themelore në Prishtinë. /Paparaci.com

Video nga Paradoks

Duda Balje komenton kolegët deputetë, tregon edhe analistin e saj të preferuar

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci