Një person ka goditur me veturë një zyrtar policor në Ozdrim të Pejës, gjatë kohës kur polici ka tentuar ta ndalojë të dyshuarin, për ta kontrolluar.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 18:00, ndërsa viktima është jashtë rrezikut për jetë.
Lajmin për Paparacin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi.
Ai tha se i dyshuari është në arrati, ndërsa zyrtari policor është dërguar në Emergjencë pas goditjes nga vetura.
“Rreth orës 18:00 një patrollë policore ka qenë në pikëkontrollë në krye të detyrës, ku një zyrtar policor ka tentuar ta ndalojë një të dyshuar, ku i dyshuari nuk është ndaluar dhe ka goditur me veturë njërin nga policët, duke ikur nga vendi i ngjarjes”, ka thënë Gashi.
