Prokuroria Themelore në Gjakovë, përmes një komunikate për media ka njoftuar se kanë kërkuar caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh, ndaj të pandehurit A.B.
I njëjti dyshohet se me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore përmes paraqitjes së rreme të fakteve, ka mashtruar A.H., pasi e njëjta e kishte vajzën e sëmurë dhe ka rënë në kontakt me të pandehurin që paraqitet si person që ka aftësi fetare shëruese.
“Sipas kërkesës së Prokurorisë, i pandehuri A.B., me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore përmes paraqitjes së rreme të fakteve, e mashtron dhe e vë në lajthim personin tjetër, duke e nxitur të veprojë në dëm të pasurisë së saj dhe atë të dëmtuarën A.H., në atë mënyrë që pasi e dëmtuara e kishte vajzën e sëmurë, e njëjta bie në kontakt me të pandehurin dhe prezantohet si person me aftësi fetare shëruese”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Tutje, prokuroria ka bërë të ditur se në emër të shërimit, e dëmtuara i ka dërguar të pandehurit para vazhdimisht përmes agjensionit të transfereve, një shumë prej 10 mijë franga.
“Gjithashtu i pandehuri me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, e kanos personin, se do të zbulojë lidhjen e tyre jashtëmartesore, dhe për këtë i kërkon të holla duke e tërhequr pensionin e Zvicrës dhe të ja sjell të pandehurit”, thuhet në komunikatë.
Në kohën kur e dëmtuara ka kuptuar se është viktimë e mashtrimit dhe refuzon të dërgojë të holla, i pandehuri ia ka dërguar të gjitha fotografitë dhe videot bashkëshortit të saj.
Këto veprime formojnë dyshimin se i pandehuri ka kryer veprat penale “Mashtrimi” nga neni 323 paragrafi 1 i KPRK-së, si dhe veprën penale “Shantazhi” nga neni 329 paragrafi 2 i KPRK-së.
