Të fundit

Isni Kilaj lirohet nga Haga me dorëzani 30 mijë euro

Ish-kryetari i Malishevës, Isni Kilaj është liruar sot nga masa e paraburgimit në Hagë.

Kilaj, i arrestuar dhe dërguar në paraburgim në Gjykatën Speciale në Hagë në nëntor të vitit të kaluar, është liruar me dorëzani në vlerë 30 mijë euro.

Përpos dorëzanisë, ai është liruar me vendim të Panelit të Gjykatës së Apelit të Dhomave të Specializuara (DHSK) edhe me disa kushte të tjera të rrepta, tha Gjykata Speciale për Krime Lufte në një komunikatë për media të mërkurën.

Kushtet përfshijnë qëndrimin e tij vetëm në Kosovë dhe paraqitjen e përjavshme në Policinë e Kosovës derisa të zgjasë procesi i tij gjyqësor në Hagë.

Në kushtet e lirimit të tij thuhet po ashtu se ai nuk “duhet të bëjë, drejtpërdrejt ose tërthorazi, deklarata publike në media dhe/ose mediat sociale lidhur me DHSK-në, ZPS-në dhe ose proceset e DHSK-së”.

Kushti i fundit thekson se ai duhet të marrë pjesë në çdo seancë gjyqësore të kërkuar nga DHSK-ja dhe të përmbushë çdo vendim apo urdhër tjetër të Gjykatës.

“Gjykatësi i Vetëm theksoi se në rast të mospërmbushjes së ndonjë prej kushteve, do të lëshohet menjëherë urdhër për arrestimin e Kilajt”, thuhet në komunikatën e DHSK-së.

Kilaj e udhëhoqi Malishevën në dy mandate, nga 2007 deri më 2009 dhe nga 2009 deri më 2013.

Më 2015, Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligjin për Gjykatën Speciale, e cila funksionon me ligje të Kosovës, por në territorin e Holandës. Në këtë institucion punojnë prokurorë dhe gjykatës të huaj.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Aktualisht, pranë Dhomave të Specializuara janë duke u zhvilluar disa raste gjyqësore, përfshirë edhe rasti ndaj ish-krerëve të UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi – që akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. /Paparaci.com

Video nga Paradoks

Përplasje e fortë në VV SHOW mes Kajtazit e Ymerit

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci