Përfaqësues të Grupit për Persona të Zhdukur (GNO) nga Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi, Kroacia, Kosova, Serbia dhe organizatat ndërkombëtare kujtuan dje në Sarajevë se kërkimi për rreth 11.000 të zhdukur në luftërat e bëra në vitet ’90 është ende duke vazhduar në këtë rajon.
Të gjithë janë zhdukur gjatë kohës së luftërave që Serbia kreu mbi shtetet që dikur ishin pjesë e ish-Jugosllavisë.
Matthew Holliday, drejtor programi i Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP), e konsideroi faktin se 75 për qind e më shumë se 40,000 të zhdukurve në luftërat në ish-Jugosllavi janë gjetur pas një suksesi të institucioneve që janë krijuar për këtë qëllim, përkushtimi dhe këmbëngulja e të gjithë të përfshirëve në proces, përfshirja e familjeve të të zhdukurve, përdorimi i teknologjive të reja të ADN-së dhe bashkëpunimi rajonal.
Holliday vlerësoi përpjekjet e Grupit të Personave të Zhdukur dhe familjeve të të zhdukurve dhe u kërkoi atyre të vazhdojnë.
Kryetari i Bordit të Drejtorëve të Institutit për Persona të Zhdukur të BeH-së, Marko Jurishiq, tha se arritje të tilla ishin të paimagjinueshme tetë vjet më parë, kur u krijua GNO.
Ai nënvizoi se ata ishin shpesh të kontestuar dhe viktima të proceseve politike dhe përgëzoi të gjithë kolegët e tij për guximin dhe mençurinë në gjetjen e kompromiseve dhe zgjidhjeve të përbashkëta të pranueshme për të gjithë, gjë që përmirësoi kërkimin e të pagjeturve në të gjithë rajonin.
Ambasadorët britanikë dhe gjermanë në Bosnje-Hercegovinë, Julian Reilly dhe Thomas Fitschen, shprehën kënaqësinë e tyre që qeveritë e tyre kanë mbështetur financiarisht për vite me radhë punën e GNO-së, e cila tashmë ka arritur rezultate të jashtëzakonshme, dhe kërkuan një vazhdimësi në mënyrë që familjet e të zhdukurit mund ta gjejnë të vërtetën.
Grupi për persona të pagjetur përbëhet nga përfaqësues të shquar të institucioneve nga rajoni që janë përgjegjës për zgjidhjen e çështjes së personave të zhdukur. Ai ka një rol në mbikëqyrjen e aktiviteteve në kuadër të Planit Kornizë që u nënshkrua në nëntor 2018 në selinë e ICMP-së në Hagë.
