Kryeministri, Albin Kurti, e ka pyetur Google-n se çka ka bërë qeveria e tij në mandatin e dytë, pas mandatit të parë, që zgjati vetëm 52 ditë.
Përmes këtij kërkimi në platformën “Google”, i pari i Qeverisë ka nisur përmbledhjen e punëve të mira që, sipas tij, ka kryer ai dhe vartësit e tij.
Madje Kurti, me këtë video, ku thotë se nuk janë përmbledhur krejt punët e se edhe më shumë punë premton se do të kryhen në vitin e ri, ka uruar edhe festat e fundvitit.
“9 muaj qeveri në një video të përmbledhur. Nuk janë të gjitha punët, por shumë më shumë na presin në vitin që po vjen. Gëzuar festat!”, ka shkruar Kurti.
Videoja nis me momentin e votimit të Qeverisë Kurti 2, vazhdon me marrëveshjen e shumëpërfolur me Pfizer për blerjen e vaksinave, pagesat për lehona dhe shtesat për fëmijë e punë të tjera që kjo qeveri thotë se i bëri dhe janë të mira, derisa mbyllet me votimin e buxhetit për vitin 2022.
