Me 18 vjet burgim është dënuar ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Pjetër Shala nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Ai është shpallur fajtor për tri nga katër pikat e aktakuzës që rëndonin ndaj tij.
Teksa gjykatësja po i kumtonte dënimin, kamerat kanë kapur reagimin e Shalës.
Gjatë shqiptimit të dënimit, në sallën e Speciales Shala dëgjohej duke bërtitur, ndërsa trupi gjykues i tërhiqte vërejtjen duke thënë se nuk dëgjohet dhe se nuk e ka radhën të flasë.
Paparaci iu sjell këtë moment në videon e mëposhtme:
Shala u shpall fajtor për ndalim arbirtrar si krim lufte kundër së paku 18 personave në periudhën mes 17 majit 1999 deri më 5 qershor të atij viti në Fabrikën e Metalit në Kukës, torturë si krim lufte kundër së paku 18 personave dhe vrasje si krim lufte kundër një personi.
Shala u shpall i pafajshëm për pikën dy të akuzës.
Për pikën 1 të akuzës, Shala u dënua me 6 vjet burgim, 16 vjet burgim për pikën tre dhe 18 për pikën 4. Andaj, ndaj tij u shpall dënim unik me 18 vjet burigm.
Trupi gjykues vlerësoi se pesha e krimeve ishte e rëndë dhe se Shala kishte një autonomi dhe pushtet brenda UÇK-së.
Aktakuza e Prokurorisë Speciale pretendon se Pjetër Shala dhe disa ushtarë, policë dhe roje të UÇK-së në mes 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999 “morën pjesë në ndalimin arbitrar, trajtimin mizor, torturën dhe në një rast në vrasjen e paligjshme të një të ndaluari në fabrikën e metalit në Kukës të Shqipërisë”.
Shala ishte arrestuar në mars 2021 në Belgjikë dhe ishte transferuar në paraburgim në Hagë, në prill të atij viti.
Më 19 prill 2021, Shala pati paraqitjen e tij të parë para gjykatësit të procedurës paraprake dhe u vetëdeklarua i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.
