Hedhja e mjetit shpërthyes në liqenin e Ujmanit, në momentet që po laheshin qytetarët e Kosovës ditën e djeshme po vlerësohet nga ekspertët e sigurisë si tendencë për frikë nga “mbeturinat” e krimit të organizuar të lidhur me qarqet e caktuara serbe e deri te presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq.
Të njëjtin, e vlerësojnë si një akt terrorist, i cili sipas tyre nuk ka lidhje aspak me rastin e policit serb të vrarë.
Eksperti i sigurisë, Avni Islami përmes KosovaPress-it inkurajon të gjithë qytetarët që ta shfrytëzojnë Ujmanin dhe të mos bëhet shkak një akt i tillë dhe të stopojnë vizitën e tyre në liqen.
“Rasti i djeshëm, tendenca për frikësim në anë të një hedhje të një granate të dorës është dhe e kanë bërë mbeturinat e krimit të organizuar të lidhur me qarqet e caktuara serbe deri tek Aleksander Vuçiq. Inkurajoj të gjithë qytetarët që ta shfrytëzojnë Ujmanin, bukuritë e rralla natyrore që na krijuar dhe i kemi dhuratë nga Zoti në tërë territorin e Republikës së Kosovës, nuk duhet që të stopojnë ose të mos shkojnë qytetarët ta shijojnë në këtë ditë vere, sepse Ujmani është i joni dhe nuk duhej të jetë një shkak që të mos vizitohet Ujmani nga qytetarët”, ka thënë Islami.
Ndërsa, sipas ekspertit tjetër Nuredin Ibishi duhet të theksohet prania më e madhe e policisë, KFOR-it dhe EULEX-it, me qëllim të parandalimit të këtyre rasteve që sipas tij mos të ekzagjerohen në forma të tjera.
“Ekstremistët nuk pushojnë dhe janë të orkestruar nga Beogradi, që në forma të ndryshme të bëjnë pasiguri në veri të vendit…Por Policia e Kosovës do të ndërmerr masa edhe parandaluese, por edhe tjera të reagimit si rasti konkret ku ka indikacione së shpejti kryesit do të zbulohen”, ka thënë Ibishi.
Ndaj këtij akti ka reaguar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili ka thënë se “Serbisë dhe qarqeve të caktuara mike me të, nuk iu leverdis normaliteti i krijuar në atë pjesë të vendit tonë. Duke e humbur ndikimin në këtë zonë, nervozizmi u bëhet agresivitet”.
Kurti, ka thënë se institucionet e sigurisë do të zbulojnë aktorin apo aktorët e këtij sulmi kriminal dhe do t’i sjellin para drejtësisë.
Policia e Kosovës, sot ka njoftuar se në vazhdën e hetimeve në lidhje me rastin e shpërthimit në afërsi të Ujmanit, rreth orës 21.00 ka bastisur një shtëpi në zonën e Zubin Potokut.
Nga ky shpërthim janë dëmtuar së paku dy vetura, ndërsa të lënduar nuk ka
