Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu po merret në pyetje nga Prokuroria Speciale për dy deklarate: për takime të mundshme me prokurorë dhe për rastin e arratisjes së Faton Hajrizit.
Pjesa e parë e intervistimit të saj ka përfunduar sot, tha Prokuroria Speciale në një njoftim për media të hënën.
Ndërkaq, intervistimi i saj pritet të vazhdojë edhe nesër, sipas njoftimit të Prokurorisë.
Haxhiu, përpos deklaratës se Serbia mund të ketë gisht në arratisjet e fundit nga burgjet, po merret në pyetje edhe për një deklaratë të dhënë në emisionin ‘Debat Plus’ të RTV Dukagjinit më 2 korrik të këtij viti.
Në këtë emision, ajo ishte deklaruar për gjyqtarë e prokurorë që, sipas saj, i kishin dërguar fjalë për takime.
“Ne po tentojmë që të kemi shtet të së drejtës. Mos me thanë [qytetarët] se këta janë njerëz të Elmi Reçicës, këta janë njerëz të Abelardit, këta janë njerëz të Sami Lushtakut. Por, me thënë se këta janë njerëz të sistemit të drejtësisë dhe përgjigjen vetëm sipas kompetencave”, thotë Haxhiu në përballje me gazetarin Ermal Panduri në ‘Debat Plus’.
“A mendon ti që unë s’kam pasur raste kur prokurorë dhe gjyqtarë më kanë çu fjalë për takim, me u marrë vesh disi.. për një çështje… përgjigja është jo. Jo. Nuk funksionojmë kështu ne”, vazhdon ajo.
Kjo supozohet të jetë deklarata për të cilën është alarmuar Prokuroria Speciale, e cila tha se e ka ftuar ministren me qëllim sqarimin e tyre.
Po ashtu, e pyetur nëse dikush nga kabineti i saj është në kontakt me prokurorë dhe gjyqtarë, ministrja Haxhiu u përgjigj shkurt:
“[Për kabinetin tim] nuk jam e sigurt se nuk kam qasje në telefonat e të tjerëve. Për kryeministrin e di sigurt që nuk ka numër të asnjë prokurori, të asnjë gjyqtari”.
Ndërkaq, pjesa tjetër e intervistimit – ajo për shkrimin e 20 datës korrik në Facebook – ndërlidhet me deklaratat e Haxhiut se grupe kriminale të lidhura me pushtetin në Serbi kanë gisht në arratisjen e disa të burgosurve në Kosovë.
Konkretisht, të shtunën, ministrja Haxhiu tha se organet shtetërore kanë informacione që “së paku në disa raste”, grupe kriminale të lidhura me pushtetin në Serbi kanë ndihmuar dhe organizuar arratisjet e të burgosurve në Kosovë.
“E rëndësishme të potencohet fakti që arratisja e disa personave që po kërkohen nga institucionet përgjegjëse në Republikën e Kosovës po bëhet vetëm në një drejtim: atë të territorit të Serbisë. Informacionet e organeve tona sugjerojnë që së paku në disa raste, këto arratisje janë cytur, organizuar, bashkëorganizuar e lehtësuar nga grupe kriminale të lidhura me struktura të pushtetit në territorin e Serbisë”, tha Haxhiu.
Haxhiu tha se mbështetja e Serbisë për të arratisurit në Kosovë “është padyshim e qëllimshme, e organizuar dhe e lidhur me qëllim për të dëmtuar rendin publik, kushtetues e ligjor të Kosovës”.
