Në këtë periudhë verore, kur volumi i mbeturinave rritet ndjeshëm, qyteti i Ferizajt po përballet me një problem serioz të pandërgjegjshmërisë së qytetarëve. Hedhja e paautorizuar e mbeturinave dhe dëmtimi i kontejnerëve janë bërë shqetësime kryesore për komunitetin dhe ndërmarrjen KRM Pastërtia.
Pavarësisht përpjekjeve të ndërmarra nga KRM Pastërtia për të rritur kapacitetin e grumbullimit të mbeturinave dhe për të siguruar shërbime të rregullta të pastrimit, një numër i madh i qytetarëve vazhdojnë të hedhin mbeturinat në mënyrë të pakontrolluar dhe të dëmtojnë kontejnerët e vendosur në pika të ndryshme të qytetit.
Kjo sjellje e pandërgjegjshme jo vetëm që ndot mjedisin, por gjithashtu shkakton vështirësi për ekipet e pastrimit të cilat përpiqen të mbajnë qytetin të pastër.
Zyrtarët e KRM Pastërtia kanë apeluar për ndërgjegjësimin e qytetarëve dhe për respektimin e rregullave të vendosura për hedhjen e mbeturinave.
“Ne po bëjmë të pamundurën që të grumbullojmë mbeturinat në kohë të ndryshme dhe të mbajmë qytetin të pastër, por kemi nevojë për bashkëpunimin e qytetarëve. Dëmtimi i kontejnerëve dhe hedhja e mbeturinave në vende të paautorizuara janë sjellje të papranueshme që e bëjnë punën tonë shumë më të vështirë”, kanë thënë nga i KRM Pastërtia.
Autoritetet lokale kanë filluar të marrin masa shtesë për të ndaluar këto praktika të dëmshme. Inspektimet janë shtuar dhe janë parashikuar gjoba për ata që kapen duke dëmtuar kontejnerët ose duke hedhur mbeturina në mënyrë të paautorizuar.
Në këtë kohë kur është e rëndësishme të ruajmë mjedisin dhe të kujdesemi për komunitetin tonë, të gjithë qytetarët e Ferizajt janë të inkurajuar të respektojnë rregullat për hedhjen e mbeturinave dhe të ndihmojnë në mbajtjen e qytetit të pastër dhe të rregullt.

