Presidenca e Kosovës në një sqarim të gjatë në lidhje me incidentin e presidentes Vjosa Osmani në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit, ka insistuar se pala maqedonase ishte njoftuar zyrtarisht për udhëtimin e saj.
Në reagimin e publikuar të premten, presidenca ka deklaruar se sipas praktikës ndërkombëtare dhe Konventës së Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike, kur krerët e shtetit udhëtojnë, ata mbrohen me privilegje dhe imunitete diplomatike.
“Kjo është e ditur botërisht dhe deri më tani është respektuar nga çdo shtet ku ka udhëtuar Presidentja, përfshirë edhe shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën. Pala maqedonase ka qenë paraprakisht e njoftuar zyrtarisht për udhëtimin e Presidentes në përputhje me praktikat diplomatike”, thuhej në sqarim.
