Ekipi olimpik i Kosovës është pritur sot nga qytetarë të shumtë në sheshin Xhorxh Bush të Prishtinës në pritjen shtetërore të organizuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Para qytetarëve të shumtë janë paraqitur medalistet olimpike, Distria Krasniqi e Laura Fazliu, si dhe pjesa tjetër e ekipit olimpik.
Distria Krasniqi, medaliste olimpike për të dytën herë tha se është krenare me medaljen e saj të argjendtë.
“Jam shumë krenare që jam një ndër medalistet që kemi pru medalje për Kosovën dhe po ndihem shumë e lumtur që është medalja e dytë që i sjellë Kosovës nga Lojërat Olimpike. Faleminderit shumë për mbështetjen. Mbështetja juaj ka qenë forca ime dhe është gjithmonë. E di që nuk do të ndalemi me kaq sidomos sporti jonë, shpresoj edhe sportet tjera dhe shpresoj shumë që do të mblidhemi shumë shpesh kështu së bashku t’i festojmë edhe sukseset tjera”, ka shtuar ajo.
E, xhudistja Laura Fazliu, e cila i solli Kosovës medaljen e bronztë deklaroi se ndihet krenare për medaljen e fituar.
“Faleminderit që jeni dalë këtu me i festu së bashku medaljet olimpike. Para 10 viteve kur Toni më ka thirrë me u bë pjesë e klubit kur unë u largova prej familjes sepse kjo ka qenë ëndrra ime që të bëhem pjesë e këtij klubi dhe sot me këtë medalje olimpike jam shumë krenare. Falemnderit shumë Tonit, Majlindës, klubit dhe të gjithë atyre që na kanë ndihmuar që të kemi këto suksese”, ka thënë ajo
Ekipi olimpik i Kosovës u kthye në vend me dy medalje olimpike nga nëntë të mundshme nga Lojërat Olimpike.
Distria Krasniqi e fitoi medaljen e argjendtë, kurse Laura Fazliu të bronztën.
Kosova shkoi në Paris me nëntë atletë në sporte të ndryshme si, xhudo, not, atletikë dhe boks.
