Një burrë 57-vjeçar është vrarë pas gjuajtjeve me armë zjarri në fshatin Zllakuqan të Lipjanit të mërkurën në mesditë.
Viktima është Agim Zani, një banor i Komunës së Lipjanit, shkruan portali Indeksonline.
Ai është dërguar pa shenja jete në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Lipjan, tha Policia e Kosovës.

Dy persona janë arrestuar, ka thënë zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
“Rreth orës 13:00, policia ka marrë informatën për një vrasje që ka ndodhë në fshatin Zllakuqan të Lipjanit. Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen”, ka thënë Ahmeti.
Ahmeti tha se personi i vdekur është rreth moshës 57-vjeçar dhe vdekjen e tij e ka konstatuar ekipi mjekësor në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Magure të Lipjanit.
