Donald Trumpi hyri në sallën e konferencave teksa gazetarët u tubuan në vilën e tij Mar-a-Lago. Nuk dukej fort i lumtur.
Deklarimet e tij erdhën një javë pasi Kamala Harris dhe kandidati i saj për zëvendëspresident, Tim Walz dominuan plotësisht nëpër media, tubuan miliona dollarë dhe patën ngritje nëpër sondazhe. Trumpi ka bërë përpjekje të mëdha që të kthehej në vëmendje, por nuk ofroi diçka të re.
Gjatë kësaj konference, Trumpi njoftoi se është pajtuar që të ketë një debat televiziv me zëvendëspresidenten Harris më 10 shtator. ABC News, nikoqir i programit, e ka konfirmuar se Harris do të marrë pjesë.
Trumpi gjithashtu ka thënë se do të donte edhe dy debate të tjera. Mirëpo për këto dy debate Harris ende nuk ka konfirmuar nëse do të marrë pjesë.
Në këtë konferencë, Trumpi pranoi disa pyetje dhe e ka kritikuar Harrisin që nuk është përgjigjur ndaj gazetarëve.
Ai pastaj foli për sondazhet, trajtimin jo fer nga mediat dhe gjendjen e rëndë në të cilën po kalon SHBA-ja.
Kjo mungesë e vëmendjes mediatike e ka vënë Trumpin në situatë të pazakontë.
Ish-presidenti nuk është mësuar që të luftojë për vëmendje, sidomos gjatë kësaj fushate.
Mirëpo zhvillimet që kanë ndodhur në kampin e demokratëve ka shtyrë mediat që të kenë vëmendje më shumë te kjo parti.
Për të përkeqësuar edhe më shumë gjendjen për republikanët, Harris pritet të ketë mbulim më të madh të mediave sepse po cilësohet si kandidat pozitiv.
Harris dëshiron që fushata zgjedhore të jetë për të dhe përkundër dramës nga demokratët, media ka vazhduar ta ketë në vëmendje.
