Gazeta e njohur gjermane, “Bild”, ka raportuar për rastin e rëndë që ndodhi të hënën në Gjermani, ku një burrë shqiptar vrau dy fëmijët e tij, e plagosi bashkëshorten dhe vrau veten.
BILD shkruan se fqinjët kanë treguar se kanë pasur shumë shpesh debate. Prandaj, kur dëgjuan zhurma nga shtëpia e familjes shqiptare të dielën rreth orës 22:53 fqinjët thirrën menjëherë policinë.
Tutje BILD raporton se kur policia arriti në vendin e ngjarjes dhe hyri brenda shtëpisë gjeti dy fëmijët e ekzekutuar me të shtëna në kokë, përcjell Paparaci.

Ndërkaq pak metra më tutje ndodhej babai i djemve, 44-vjeçari Flamur R., i cili po ashtu ishte i vrarë. Afër tij ndodhej arma që dyshohet se është përdorur për vrasjet.
Gruaja dhe nëna Advije R. (38) është plagosur rëndë dhe gjendet në spital – edhe ajo është qëlluar me armë zjarri.

Kryeprokurori Christian Braunwarth citohet të ketë thënë: “Gjetjet aktuale tregojnë se çfarë ka ndodhur brenda familjes”.
Sipas informacioneve të BILD, pritet të vërtetohet në nëse babai ka qëlluar me armë të tjerët dhe më pas edhe veten.
Babai, zejtar, thuhet se ka qenë gjaknxehtë, sipas fqinjëve. Thuhet gjithashtu se ai i ka kërcënuar fqinjët në të kaluarën, kur ata e kishin raportuar në polici.
Një fqinj tha: “Djemtë ishin gjithmonë shumë të gëzuar dhe tani ata janë të qëlluar në fund të Kërshëndellave.”
