Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, gjatë seancës së sotme të Kuvendit ka thënë se grupi parlamentar i kësaj partie ka dy javë që ka kërkuar debat parlamentar për krizën me energjinë.
Sipas tij Qeveria me qëllim të zbehjes së debatit përmbajtjesor rreth kësaj çështje ka sjellë sot në kuvend vendimin me masat për përballje me krizën e energjisë elektrike.
“Përmes këtij vendimi është ndërhyrë në agjendën e paraparë dhe ka ardhur një vendim që nuk ndikon në përmirësimin e situatës. Kosova është duke u përballur me krizën më të madhe që prej pavarësisë. Ajo që na bënë edhe më të shqetësuar është fakti që Qeveria dhe kryeministri, janë duke injoruar këtë problem duke e bartur fajin te palët e treta. Si ka mundësi të harrojnë që tash e sa vjet nuk ka pasur mungesë të energjisë në këtë nivel. Deri më sot nuk po shohim asnjë veprim e as strategji konkrete që do të zgjidhte këtë problem. Qeveria nuk e ka pasur asnjëherë në qendër qytetarin. Kjo qeveri është dashur të jetë më largpamëse dhe të blinte energji”, ka thënë ai.
Sipas tij, Kurti nuk kishte kohë për t’u angazhuar pasi po merrej me fushatë zgjedhore.
Ai ka thënë se kërkojnë nga kryeministri dhe Qeveria të jenë më serioz për këtë gjendje.
“Kohëve të fundit kanë filluar talljet me qytetarë si ndalni dritat e ngrohuni me qebe. Kurti është zotuar se me qeverisjen e tij do të ulë çmimin e energjisë elektrike. Sot nga pozita e udhëheqësit thotë se ose duhet reduktime ose shtrenjtim të energjisë. Qeveria po vepron pasi po ndodhë e keqja dhe problemi. Gjithë kohën kërkohet fajtori por jo zgjidhja e problemit”, ka thënë ai.Q
