Ndërmarrja “Trepça” ka thënë se ka eksportuar mbi 200 ton koncentrat të plumbit të mërkurën.
Dikur gjiganti metalurgjik ka thënë se sasia prej 237.50 ton koncentrat të plumbit, është eksportuar nga minierat e flotacionit në Stan Tërg.
“Më datë 4.9.24 Ndërmarrja Trepça Sh.A. ka eksportuar koncentratin e plumbit ‘K/Pb’ nga Njësia Biznesore Minierat me Flotacion Trepça në Stan Tërg. Sasia e eksportuar e koncentratit të plumbit është 237.50T”, thuhet në njoftim.
Ndryshe, ditë më parë u njoftuar se deri tani gjashtë nëpunësve të menaxhmentit u janë caktuar detyra në njësitë biznesore të Ndërmarrjes Trepça, ndërsa janë bërë rreth 80 sistemime në ecurinë e prodhimit në njësinë Trepça – Stan Tërg.
Lidhur me prodhimin në këtë ndërmarrje kishte shkruar edhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.
“Punëtorët e Trepçës në minierë e në flotacion janë duke punuar me përkushtim e kapacitet të shtuar për të rritur prodhimin e ashtu të hyrat e ndërmarrjes. Në anën tjetër, bordi dhe menaxhmenti i lartë i ndërmarrjes janë duke punuar me zell e me vigjilencë për forcim të kontrollit të brendshëm e rritje të disiplinës”, kishte thënë ajo.
