Ulëset e rreshtit të parë të klasës ‘business’ të fluturimit Prishtinë – Stamboll të martën, janë rezervuar për presidenten Vjosa Osmani dhe disa anëtarë të ekipit të saj.
Osmani dhe dy anëtarë të stafit të saj, shefja e stafit dhe një truproje, janë parë duke udhëtuar me ‘Business Class’ të avionit të kompanisë ajrore turke “Turkish Airlines”, tregojnë pamjet ekskluzive të cilat i ka siguruar Paparaci.
Një delegacion prej së paku pesë anëtarëve të Presidencës së Kosovës kanë udhëtuar të martën drejt kryeqytetit të Polonisë me itinerarin e udhëtimit që parashihte një ndalesë në Stamboll para destinacionit përfundimtar, Varshavën.
Pamjet të cilat i ka siguruar Paparaci, tregojnë presidenten Osmani të ulur në rreshtin e parë në klasën e biznesit të fluturimit “1018” nga Prishtina në Stamboll me avionin e aviokompanisë turke.
Në rreshtin e parë është e ulur edhe shefja e stafit të saj, Learta Hollaj, si dhe një nga truprojat e presidentes, bazuar në videon dhe një fotografi të cilën e posedon Paparaci.

Nisja e fluturimit është realizuar rreth orës 09:10 të së martës, me mbërritjen e planifikuar në Aeroportin e Stambollit në orën 09:32, bazuar në të dhënat publike të fluturimeve në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës.

Bekim Kupina, këshilltari për media i presidentes Osmani, tha sot se presidentja “nuk e ka blerë asnjë biletë të klasit biznes”, duke u përgjigjur në pyetjet e Paparacit për udhëtimin e presidentes me biznes klas drejt Stambollit.
Ai nuk e mohoi udhëtimin e presidentes në klasën e biznesit të fluturimit Prishtinë – Stamboll, por tha se caktimi i ulëseve për fluturimin e të martës është bërë nga avio-kompania turke.
“Në fluturimin e sotëm, vet aviokompania i ka caktuar ulëset për Presidenten dhe delegacionin e saj”, tha Kupina, në një përgjigje të cilën ia dërgoi Paparacit, e të cilën paraprakisht e publikoi në profilin e tij të rrjetit social, Facebook.
Ndonëse nuk e mohuan udhëtimin me ‘Business Class’, këshilltari i presidentes Osmani nuk e klasifikoi, e as nuk tha të ketë raportuar caktimin e ulëseve në klasën e biznesit nga avio-kompania turke si dhurata, siç obligohet me Ligj.
Bazuar në Udhëzimin Administrativ për Udhëtimet Zyrtare të Presidentit, presidentes i lejohet të përdor klasën biznes. Megjithatë, kjo e drejtë nuk u jepet anëtarëve të delegacionit.
“Anëtaret e delegacionit gjatë udhëtimeve zyrtare me transport komercial, përdorin
klasën ekonomik”, thuhet në paragrafin 2 të nenit 5 të Udhëzimit Administrativ.
Presidentja Osmani, e thirrur shpeshherë në emër të transparencës dhe llogaridhënies në raport me shpenzimin e parasë publike gjatë mandatit të saj, është vendosur në qendër të vëmendjes së mediave javën e kaluar për “inspektimin” që i bëri shtëpisë së saj të re.
Mediat publikuan fotografi të Osmanit në vendpunishten e lagjes luksoze ‘Marigona Hill’, në të cilën ajo ka blerë një shtëpi, banim në varg.
Bazuar në deklarimin e pasurisë për vitin 2023, shefja e shtetit dhe bashkëshorti i saj Prindon Sadriu posedojnë një banesë, një shtëpi, dy banime në varg, njëra me 244 metra katrorë e tjetra me 218 metra katrorë. Njërën nga këto banime në varg, ajo e ka në ‘Marigona Hill’. /Paparaci.com
