Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s sot (e martë) ka marrë vendim që ta heq organizimin e finales së Ligës së Kampionëve nga stadiumi “San Siro” për shkak të mos sigurisë lidhur me renovimin e tij.
UEFA fillimisht kishte përcaktuar se finalja e Ligës së Kampionëve për vitin 2027 do të mbahej në stadiumin ikonik në Milano, por që gjërat kanë ndryshuar sot.
Komiteti Ekzekutiv ka thënë se nuk ka marrë një përgjigje të sigurt nga Bashkia e Milanos nëse do të kryheshin punimet në stadium dhe përreth tij deri në vitin 2027, andaj ka zgjedhur që këtë finale ta organizojë në një tjetër stadium.
“Meqenëse Komuna e Milanos nuk mund të garantojë që stadiumi San Siro dhe rrethinat e tij nuk do të preken nga punimet e rinovimit gjatë periudhës së finales së Ligës së Kampionëve 2027 – thuhet në njoftimin për shtyp – është vendosur që finalja të mos i caktohet Milanit”, thuhet në vendimin e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s.
Për finalen e vitit 2027 pritet që të hapet një konkurs i ri, ndërsa është konfirmuar edhe njëherë se finalja e këtij viti do të mbahet në Allianz Arena, kurse ajo e vitit të ardhshëm në Puskas Arena në Budapest.
