Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) i ka mbuluar shpenzimet e varrimit të babait të Lulzim Berishës, kryetarit të tifo-grupit të përfaqësueses së Kosovës në futboll, ‘Dardanët’.
Babai i Lulzim Berishës vdiq më 9 mars të vitit 2021.
Në të njëjtën ditë, Federata e Futbollit të Kosovës transferoi 700 euro në llogarinë bankare të kryetarit të tifo-grupit të përfaqësueses, me arsyetimin “pagesa për shpenzimet e varrimit të prindit”.
Transferi bankar i kësaj pagese specifike dhe disa pagesave të tjera mujore nga llogaria e FFK-së në llogarinë e Lulzim Berishës, dëshmohen në disa dokumente të publikuara nga portali “Albanian Post” të mërkurën.
Sipas dokumentit, i cili paraqet transaksione bankare të realizuara nga FFK-ja gjatë vitit 2021, Lulzim Berisha merrte rrogë mujore nga Federata e Futbollit në shumën prej 700 euro neto.

Atë vit, Berisha kishte marrë 12 rroga përgjatë gjithë vitit kalendarik.
Artikulli i “Albanian Post”, i bazuar në dokumente, tregon sesi FFK-ja i ka paguar gjatë vitit 2021 edhe teknikët e futbollit, Arben Zeqirin e Arsim Prepollin, të dy komentatorë televizivë dhe përkrahës të federatës.
Zeqiri, një ish-futbollist dhe një analist i përhershëm televizv në televizionin Klan Kosova, kishte pranuar tre mijë euro nga FFK-ja në llogarinë bankare të tij në vitin 2021 kinse për aktivitetet e Shoqatës për Mbrojtjen e të Drejtave të Futbollistëve në Kosovë.
Në llogarinë e Arsim Prepollit, një trajneri të grupmoshave të reja, ishin derdhur, pa asnjë arsyetim, 6 mijë e 156 brenda një viti.
FFK-ja, nuk i ka komentuar ende publikimet e portalit. /Paparaci.com
