Serbia dhe Shqipëria pritet të organizojnë Kampionatin Evropian për grupmoshat U-21 në vitin 2027 në projektin futbollistik që synon të kapërcejë tensionet politike, shkruan agjencia e lajmeve “Associated Press”.
UEFA ka deklaruar të enjten se vetëm oferta e Serbisë me Shqipërinë ka arritur në afat.
Belgjika dhe Turqia kishin shprehur interesim në procesin e ofertimit që pritet të caktohet më 16 dhjetor në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s.
Federatat serbe dhe shqiptare u bën bashkë në muajin maj për të planifikuar organizimin e Evropianit që mbahet çdo dy vjet. Dy shtetet duhet të kenë tetë stadiume për 31 ndeshjet e kampionatit.
Shefi i FSHF-së, Armand Duka, i cili është edhe zëvendës president i UEFA-s, ka thënë në muajin maj se “është 100 për qind projekt futbolli” “me mesazh të mirë politik që mund ta përçojmë”.
Mirëpo pak javë pas kësaj deklarate, u mbajt Evropiani në Gjermani dhe solli në vëmendje tensionet politike mes shteteve ballkanike.
Mirlind Daku u suspendua pasi këndoi në kor me fansat kundër Serbisë pas ndeshjes që Shqipëria e zhvilloi me Kroacinë.
UEFA dënoi Shqipërinë dhe Serbinë për këto incidente në Euro 2024 shkaku i thirrjeve dhe mesazheve politike për Kosovën.
