Maggie Smith, aktore mjeshtërore e cila fitoi çmimin “Oscar” për “The Prime of Miss Jean Brodie” në vitin 1969 dhe joshi fansa të ri me rolet në “Downton Abbey” dhe atë të profesoreshës Minerva McGonnagall në filmat “Harry Poter”, ka vdekur të premten. Ishte 89-vjeçare.
Djemtë e Smith, Chris Larkin dhe Toby Stephens, në një komunikatë kanë bërë të ditur se Smith vdiq të premten në mëngjes në një spital të Londrës.
Ajo ishte pjesë e gjeneratës së artë të aktoreve britanike bashkë me Vanessa Redrgrave dhe Judi Dench.
Ajo ishte fort e kërkuar për role edhe në vitet e fundit, ani pse ishte ankuar se “kur je në vitet e gjyshes, je me fat nëse merr ndonjë rol”.
Karrierës së saj i dha hov edhe më të madh roli në filmat Harry Potter. Kur u pyet se përse e mori rolin, ajo u përgjigj: “Harry Potter është pensioni im”.
