Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Kosova ka pasur përparim dhe progres gjatë qeverisjes së tij dhe me këtë rast ka përmendur se rritja ekonomike në Kosovës është 6.2 për qind. Ndonëse, sipas Kurtit kjo normë e rritjes është mesatarja e këtyre tri viteve të fundit.
Megjithatë guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili sa i përket rritjes ekonomike për vitin 2023, ka thënë se kjo normë ka qenë 3.3 për qind, i cili po ashtu parasheh që për vitin 2024 kjo normë të jetë rreth 3.9 për qind.
Kurti për trendët ekonomike ka folur në konferencën e Federatës së Paqes Universale, ku po diskutohet për “Paqen, stabiliteti dhe tranzicioni demografik në Ballkanin Perëndimor”.
Guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili ka thënë ditë më parë për KosovaPress se ekonomia ka pas një rritje prej 3.3 për qind për vitin 2023.
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami kishte thënë ditë më parë se qeveria Kurti për më shumë se 3 vite vetëm ka manipuluar me shifra.
Kryetari i Komisionit për Buxhet, njëherësh deputet të VV-së, Armend Muja shprehet optimist opër rritjen ekonomike të Kosovës, duke parashikuar se ajo do të jetë rreth 5 për qind, përkundër prognozës së Bankës Qendrore prej 3.9 për qind.
Sipas Bankës Botërore në vitin 2020, Kosova pati një rritje ekonomike minus 5.3 për qind (Covid-19), në vitin 2021 ishte 10.5 për qind (Pas lirimit nga pandemia), më 2022 ishte 3. 1 për qind, dhe në vitin 2023 sipas BQK-së ishte 3.3 për qind.
