Fadil Geci, ish-pjesëtari i UÇK-së, është pyetur sot nga mbrojtja e të akuzuarit Hashim Thaçi nëse njohuritë për komunikatën Nr. 59 i kishte marrë nga fjalët e transmetuara nga gazetari Milaim Zeka.
Stipe Misetiq, avokati mbrojtës i Thaçit, e pyeti nëse është e vërtetë se informatat për komunikatën Nr. 59 e kishte marrë nga Milaim Zeka.
“Atë që dije, që mësove, për komunikatën Nr. 59 kush e kishte shkruar, pretendohet se Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe Fatmir Limaj, i thanë Milaim Zekës që i tha vëllait tënd Gani Gecit, që të tha ty, kështu ka qenë?”, e ka pyetur Misetiq, Gecin.
Geci e ka pranuar se informacionet i kishte pranuar nga vëllai i tij Gani Geci, përmes fjalëve të Milaim Zekës.
“Unë, në 1998, e kam bërë një shkresë zyrtare në emër të familjes. U informuam prej Milaim Zekës, dhe e bëmë kërkesën”, tha Geci.
“Milaim Zeka ka të bëjë me ju apo jo?”, e pyeti pastaj avokati, Gecin.
“Kurrfarë jarani, kurrfarë lidhje s’e kam me Milaim Zekën. Kurrgjë hiç. Edhe ai është marksist. Nip e kam, se është nip i Llaushës, por kurrfarë jarani s’e kam. Ai është jarani i këtyre, i Hashim Thaçit dhe këtyre”, u përgjigj ai.
