Është ndërprerë seanca Gjykatën e Posaçme për Ilir Metën, Monika Kryemadhin dhe dy të tjerët, të cilët do të njiheshin me masën e sigurisë.
Seanca do të rifillojë në 13:30, ndërsa avokatët kërkojnë të njihen me provat.
Ilir Meta shkoi rreth orës 09:00 të ditës së sotme drejt Gjykatës së Posaçme për masën e sigurisë. Ai u arrestua ditën e hënë te Kthesa e Kamzës dhe mbi të rëndojnë disa akuza.
Në dosjen e SPAK thuhet se nga hetimi ka rezultuar se Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi nuk kanë deklaruar gjendje të parave cash në vitin 2007, në vitin 2008 dhe në vitin 2009 për këtë arsye u bë verifikimi i llogarive bankare të tyre dhe familjarëve të afërt.
Sipas SPAK, nga verifikimi i llogarisë bankare e Monika Kryemadhit rezulton se në datën 08 dhe 9 Maj 2008 ka tërhequr nga overdrafti i llogarisë 50.000 Euro.
Në datën 28 Maj 2008 ka derdhur futur 10 mijë euro kesh në llogari dhe 29 korrik 2008 ka futur në llogari 41.000 euro (nuk dihet origjina e këtyre parave pasi prezumohet se shuma e tërhequr nga overdrafti ka shërbyer për shpenzime pasi nuk rezulton që të jetë deklaruar si borxh ose hua, por duke qenë se vlera e overdraftit dhe depozitimet kesh janë pak a shumë të përafërta, deri në këtë moment këto transaksione nuk e ndryshojnë situatën financiare të personave nën hetim).
